Sikur Sllobodan Millosheviq dikur, Aleksandar Vuçiq të premten grumbulloi rreth 100 mijë serbë për t’u dukur lider i fuqishëm përballë opozitës, e cila po ia prishë rahatinë -qeverisjen autokratike me vendin e tij. Në tubimin “E ardhmja e Serbisë”, që u mbajt në prag të Samitit të Berlinit, Vuçiq foli edhe për taksën e dialogun. Për ta ilustruar humbjen e Kosovës ai serbëve u përmendi vende që dikur ishin toka gjermane, por që tani janë toka të shteteve tjera.
Aleksandar Vuçiq është një politikan tashmë i rryer për të udhëhequr me Serbinë. Për rreth 6 vjet ai praktikisht e sundon shtetin e tij duke kontrolluar gjithçka që lidhet me aparatin shtetëror si dhe mediat.
Këtë ai e bën duke e shfrytëzuar përvojën e viteve 90’të të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq e kombinuar me modelin e qeverisjes që tani aplikohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që pak a shumë përkufizohen si regjime autokratike. Dikush mbase ironikisht mund të konstatojë se në Serbinë e Millosheviqit madje mund të ketë pasur më shumë demokraci për serbët se sa tani, pasi atje gjatë viteve 90’të opozita sado që shtypej me forcë, i organizonte rezistencë më të madhe regjimit. Ata që e mbajnë Serbinë e viteve 90’të, do të mund të vijnë te konstatimi se Vuçiq është një kopje e vërtetë e Sllobodan Millosheviqit, nëse i kanë ndjekur zhvillimet e mbrëmshme në kryeqytetin serb. Sikur Partia Socialiste në krye me diktatorin Millosheviq mbrëmë Vuçiq ka mbajtur një ‘kontramiting’ si përgjigje ndaj protestave të opozitës të cilat po mundohen t’ia prishin rahatinë në pushtet.
Edhe skenari për këtë tubim ishte i ngjashëm me atë Millosheviqit. Vuçiq kishte sjellë serbë nga të gjitha anët para ndërtesës së Kuvendit – Serbisa, Republika Srpska, Maqedonisë, Malit të Zi e Kosovës. Aty kishte folur partneri i Vuçiq në qeverisje Ivica Daçiq që njihet si Slloba i Vogël, Kryeministrja marionetë Ana Bërnabiq, Milorad Dodik. Për të argëtuar turmën ishte kujdesur një këngëtar të pop skenës serbe, Oliver Mandiç, mik i Arkanit që gjatë viteve 90’të kishte veshur uniformën e vullnetarëve serbë.
Në mitingjet e Millosheviq megjithatë kishte nje dallim. Ai zotohej para serbëve se Kosovën do ta ruaj me çdo çmim përfshirë edhe luftën. Vuçiq sado që mund të ketë disponim për këtë, në vitin 2019, kur Serbia nuk ka me aftësi të bëjë luftëra jep mesazhe tjera. Disa ditë para Samitit të Berlinit ai jep mesazhe mikse para turmes serbe- që do ta mbrojë Kosovën por edhe që do ta ‘dorëzojë atë’.
Ai përmend taksën që sipas tij është akt anticivilizues duke u zotuar serbëve se nuk do të nisë bisedime me Kosovën pa u hequr taksa e cila sipas tij ka për qëllim shkatërrimin e serbëve të Kosovës. Vuçiq prapa shpinës së tij në binën ku fliste kishte prapa disa serbë nga Veriu i Kosoves të cilët sipas tij kanë shkuar këmbë në Serbi për ta mbështetur atë. Por, sado që me fjalë të forta Vuçiq në asnjë moment nuk tha që Kosova është zemra e Serbise, Jerusalemi serb apo edhe pjese e Serbisë. Ai foli për Kosovën si nje territor që Serbia po e humb.
“Një nga brengat tona është Kosova dhe Metohia. Ne duhet të mesojmë nga ata që në kohërat më të vështira të kombit të tyre kanë pasur sukses ta mbrojnë vetën dhe që sot udhëheqin botën dhe Europën. Para vitit 1702 gjermanët themeluan Perandorinë e tyre Prusisë Lindore, Fridrihu i Dytë. Sot kjo i takon një shteti tjetër, emri i Koningsbergut është Kaliningrad. Në Pragë deri më 1919 edhe Kafka i madh shkruante gjermanisht, flitej gjermanisht atje.
Në Strasbourg është folur gjermanisht gjithmonë, vetem ka ndryshuar fakti se ai ka takuar Gjermanisë apo Francës. Por gjermanët kane ditur që duke ruajtur, duke mësuar duke u kujdesur per Goethen, Schilerin, vëllezërit Grim, duke e ruajtur alfabetin e tyre, kulturën e tyre ia dolën të jenë komb i unifikuar dhe të bëhen përsëri të fuqishëm, ndër më të fuqishmit në botë…”