Fjalë Kyçe

Çfarë ndodh me Shaqirin në Liverpool nëse Britania del nga BE-ja

Çfarë ndodh me Shaqirin në Liverpool nëse Britania del nga BE-ja

Xherdan Shaqiri e siguroi transferimin në Liverpool gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, kur u largua nga Stoke City për 14,7 milionë euro. Megjithatë, nëse Britania e Madhe largohet nga Bashkimi Evropian, zvicerani me origjinë shqiptari duhet t’i plotësojë disa kritere për ta fituar lejen e punës.

Shaqiri i plotëson kriteret të cilat kërkohen për ta fituar lejen e punës, gjë që do ta lejonte rrugëtimin e shqiptarit me liderin e Premierligës, Liverpoolin. Megjithatë, ai fillimisht do të duhej t’i ndiqte disa procedura.

Për momentin, lejet u punës u kërkohen vetëm futbollistëve nga vendet jashtë Bashkimit Evropian. Por, me finalizimin e marrëveshjes së BREXIT-it, ky rregull do të vlejë për të gjithë futbollistët e huaj.

Në mesin e futbollistëve që do t’u kërkohej leja e punës për të luajtur në Premierligë është edhe Shaqiri. Ai do të duhej të aplikonte për këtë leje në zyrën përkatëse në Angli, e cila është përgjegjëse për vizat e punës.

Në Britani të Madhe, për ta fituar lejen e punës si futbollist duhet t’i plotësosh disa kritere. Një lojtar automatikisht kualifikohet për një leje pune nëse e ka luajtur një përqindje të caktuar në ndeshjet e ekipit kombëtar gjatë dy vjetëve të fundit, para se të bëhej aplikimi.

Sipas këtyre kushteve, Shaqiri do ta fitonte lejen e punës pasi që ai luan në shumicën e ndeshjeve të Kombëtares së Zvicrës, e cila pozicionohet në vendin e tetë, sipas radhitjes së fundit të organit qeverisës së futbollit botëror, FIFA.

Në fakt, që nga fillimi i 2017-ës, Shaqiri ka munguar në vetëm dy ndeshje të Kombëtares së Zvicrës. Në të dyja ato, ai nuk kishte qenë pjesë e skuadrës për shkak të një lëndimi muskulor, në mars të vitit 2018.

Kriteret për t’u kualifikuar automatikisht për leje pune:

Nëse Kombëtarja e lojtarit që aplikon për leje pune radhitet nga pozita 1-11 në listën e FIFA-s, lojtari duhet t’i ketë luajtur të paktën 30 për qind të ndeshjeve të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit;Nëse Kombëtarja e lojtarit që aplikon për leje pune radhitet nga pozita 11-20 në listën e FIFA-s, lojtari duhet t’i ketë luajtur të paktën 45 për qind të ndeshjeve të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit;Nëse Kombëtarja e lojtarit që aplikon për leje pune radhitet nga pozita 21-30 në listën e FIFA-s, lojtari duhet t’i ketë luajtur të paktën 60 për qind të ndeshjeve të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit;Nëse Kombëtarja e lojtarit që aplikon për leje pune radhitet nga pozita 31-50 në listën e FIFA-s, lojtari duhet t’i ketë luajtur të paktën 30 për qind të ndeshjeve të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit.

Nëse Shaqiri nuk do t’i kishte plotësuar kriteret për ta marrë automatikisht lejen e punës, ai do të duhej ta parashtronte një kërkese te “Paneli i Përjashtimeve”. Këtu do të vlerësohej edhe një herë kërkesa e tij varësisht nga çmimi, paga dhe historia e karrierës së tij. Edhe intervista me gojë mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar.

Përderisa Shaqiri i plotëson këto kritere, lojtarë të huaj si N’Golo Kante dhe Riyad Mahrez nuk do ta fitonin të drejtën për të luajtur në Premierligë. Rrjedhimisht Chelsea dhe Manchester City, por edhe klubet e tjera, do të mbesnin pa disa lojtarë të rëndësishëm në skuadrën e tyre.