Pas rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus, që shkakton sëmundjen COVID -19, dhe rritjes së numrit të rasteve që kanë përfunduar me vdekje, Kosova është duke shqyrtuar mundësinë që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.
Lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se pritet të vendosët të dielën në takimin e Këshillit të Sigurisë i Republikës së Kosovës, i cili aktualisht kryesohet nga Hoti.
Megjithëkëtë, fjalën e fundit për këtë e jep Kuvendi i Kosovës.
Në rast të shpalljes së gjendjes të jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me gjendjen e jashtëzakonshme dhe drejtohet nga Presidenti i Republikës.
Në gjendje të jashtëzakonshme sipas Kushtetutës së Kosovës presidenti pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në gjendjen e jashtëzakonshme.
Kryeministri Hoti gjatë një takimi virtual të mbjatur me kryetarët e komunave të Kosovës ka sqaruar se gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar.
Kurse ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, në një postim në rrjetin social Facebook iu është drejtuar qytetarëve të Kosovës qe të respektojnë masat dhe siç ka shkruar ai të mos e imponojnë vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Mos na impononi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Nuk jemi qeveri represive, por shtet demokratik. Më dhemb shpirti ta shoh Kosovën e mbyllur”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Krasniqi: Po rrezikohet shëndeti publik
Valbon Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), tha për Radion Evropa e Lirë se do të përkrahin çdo vendim të Qeverisë së Kosovës që shkon në favor të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.
Ai ka bërë të ditur se sa i përket situatës me COVID-19 është e rënduar jashtëzakonisht, shumë sidomos në dy – tre javët e fundit.
“Është rritur në mënyrë të ndjeshme numri i pacientëve që po kërkojnë hospitalizim. Gjatë mbrëmjes së kaluar në nivel të Kosovës ishin mbi 280 pacientë të shtrirë në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet regjionale. Situata po shkon duke u rënduar, por ne ende po arrijmë të menaxhojmë në aspektin klinik pacientët që po shtrihen në spital”, tha Krasniqi.
Sa i përket çështjes së situatës së jashtëzakonshme, Krasniqi tha se është kompetencë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për të dhënë një vendim.
Megjithatë, sipas tij, kriteret që duhet shikuar për këtë çështje përveç tjerash janë kriteri klinik, pra numri i pacientëve të shtrirë dhe kapaciteteve të sistemit shëndetësor për të pranuar këta pacientë si dhe kriteret tjera epidemiologjike.
“Ajo që është me rëndësi është që qytetarët ta kuptojnë seriozisht situatën në të cilën jemi. Shëndeti publik i qytetarëve të Kosovës është duke u rrezikuar, shëndeti individual i secilit qytetarë është i kërcënuar seriozisht dhe secili duhet të kemi përgjegjësi për sjelljet dhe veprimet tona”, tha Krasniqi.
Në Kosovë, që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 4.512, dhe 97 pacient kanë vdekur.
Numri i vdekjeve të pacientëve është rritur nga fillimi i korrikut. Vetëm nga 1 korriku deri më 11 korrik janë shënuar 47 vdekje.
Ndërsa, numri i rasteve aktive është 2.259.
Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se përparësi e gjendjes së jashtëzakonshme është ulja e numrit të të prekurve dhe ulja e vdekshmërisë të rasteve me COVID 19, ndërsa pasojat janëshkatërrimi i ekonomisë, shëndetit mendor me dhunë përcjellëse në familje dhe pasoja të tjera.
Sipas tij, zgjidhja e mundshme mund të jetë “të gjithë me maska”, ka shkruar Raka.
Rukiqi: Gjendja e jashtëzakonshme mos të mbyllë ekonominë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi në rrjetin social facebook ka shkruar se çdo gjendje e jashtëzakonshme, që përfshin mbyllje te bizneseve, do te jete fatale për ekonominë.
“Nëse gjendja e jashtëzakonshme shpallet për të mundësuar masa me të rrepta në luftën me pandemine, atëherë këto masa të mos ndërmerren në kurriz të ekonomisë. Masat duhet te ndërmerren ndaj atyre bizneseve që nuk respektojnë rregullat dhe masat parandaluese”, ka shkruar Rukiqi.