Sot Kuvendi i Kosovës mbajti seancë. Ende pa filluar mirë gjithçka, nisën përplasjet pozitë-opozitë. Pikë përplasjeje ishte puna e Komisionit Hetimor Parlamentar, shkruan Reporteri.net.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe, tha se me ligj, deputetët e opozitës nuk mund të jenë kryesues të këtij Komisioni. Opozita, me ngulm e kërkonte një – siç thoshin ata – të drejtë të tillë.
Pak më vonë ndërhyu kryeparlamentari Glauk Konjufca, dhe i dha të drejtë opozitës në këtë rast. Bëri thirrje që të votohet rreth kësaj pike.
Komisioni Hetimor Parlamentar nuk arriti të formohet, çka bëri që opozita ta lëshojë menjëherë sallën.
Seanca pas votimit të disa projektligjeve nga mazhoranca përfundoi.
Menjëherë pasoi reagimi i Partisë Demokratike. Në krye me Memli Krasniqin, kjo parti ftoi konferencë të jashtëzakonshme për në orën 15:00.
Pas saj, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar i së cilës është Ramush Haradinaj, ftoi një tjetër për në orën 14:00.
“Ju njoftojmë se në ora 14:00, në selinë qendrore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mbahet konferencë e jashtëzakonshme për media”, u tha në njoftimin e AAK-së.
Në të njëjtën orë, por e ftoi më vonë, edhe Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës, ftoi konferencë të jashtëzakonshme.
“Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! mban konferencë të jashtëzakonshme për media, sot e martë, 19 prill, në ora 14.00, në sallën e grupit parlamentar, ndërtesa e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, njoftoi zëdhënësi Arlind Manxhuka.
AAK-ja ka njoftuar se konferencën do ta mbajë në selinë e saj, Vetëvendosje në sallën e Grupit Parlamentar në Kuvendin e Kosovës, ndërsa PDK-ja, po ashtu në selinë e vet.
Partia Demokratike qe e vetmja që njoftoi arsyen e thirrjes së konferencës.
“Kryetari i Padtisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, mban sot Konferencë të jashtëzakonshme për media, pas bllokimit nga ana e shumicës parlamentare për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës”, u tha në njoftim.