Vendimi i Bordit të Telekomit i marrë tre muaj më parë për ndërprerjen e “prurjeve të reja” në këtë ndërmarrje është shpërfillur nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje. Vetëm brenda dy jave në këtë ndërmarrje janë punësuar rreth 100 persona, shkruan sot “Koha Ditore”.
Burime të gazetës të informuara mirë kanë pohuar se punësimi i këtyre personave është bërë pa konkurs dhe pa specifikuar nëse ndërmarrja ka nevojë për këto punësime kur ka numër të punëtorëve rreth 2500.
Ky burim ka treguar se gjatë vikendit është mbajtur një test “formal” ku janë thirrur disa persona, por që kjo është bërë pa një komision që do të bënte përzgjedhjen e tyre.
“Krejt këta persona që kanë hy këtu janë thirrë nga menaxhmenti dhe kryesisht janë militantë të partive politike që janë në pushtet ose familjarë të tyre”, ka thënë ky burim. Këto punësime, sipas tij, kanë ndodhur pas ardhjes në krye të ushtruesit të detyrës së kryeshefit Bedri Istrefi.