Fjalë Kyçe

Çfarë qeverie do të ketë Gjermania, cili është opsioni më i mundshëm dhe cilat janë planet e Merz për azilakërkuesit e çështjet tjera

Çfarë qeverie do të ketë Gjermania, cili është opsioni më i mundshëm dhe cilat janë planet e Merz për azilakërkuesit e çështjet tjera

Friedrich Merz, i cili do ta marrë drejtimin e Gjermanisë nuk do negociata shumë të gjata për formimin e qeverisë së re, e cila megjithatë duket e komplikuar. Kancelari aktual Olaf Scholz nuk do bashkëpunim me të, ndërsa fituesi nuk do bashkëpunim me partinë e ekstremit të djathtë, AfD. Cila do të jetë përbërja më e mundshme e qeverisë së re në Berlin dhe çfarë ka në plan të bëjë kancelari i ri me azilkërkuesit, marrjen e shtetësisë gjermane nga të huajt e çështje të tjera

Kreu i CDU-së, Friedrich Merz, po përgatitet t’i nisë shpejt negociatat për formimin e qeverisë së re të Gjermanisë – të cilat pritet të zgjasin deri në fund të prillit – pasi partia e tij konservatore doli e para në zgjedhjet e së dielës.

Kandidati për kancelar i unionit CDU/CSU tha se kjo periudhë kohore do të duhej të ishte “maksimalisht e mjaftueshme”.

“Tani jemi më pak se tetë javë para festës së Pashkës dhe mendoj se kjo kohë duhet të jetë maksimalisht e mjaftueshme për të formuar qeverinë në Gjermani”, tha ai, duke përmendur se vendi që prej nëntorit të vitit të kaluar drejtohet nga një qeveri pa shumicë parlamentare, duke iu referuar shpërbërjes së koalicionit qeveritar pas largimit të partisë FDP.

“Ky është një ngërç nga i cili duhet të dalim dhe shpresa ime është që ne ta bëjmë këtë sa më shpejt”, tha ai.

Çfarë qeverie?

Në mbarë botën pritet me padurim se çfarë qeverie të re në Gjermani do të sjellin rezultati i këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme atje.

Aleanca e qendrës së djathtë CDU/CSU prin me 28.6% sipas rezultateve zyrtare preliminare, e ndjekur nga Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë, e cila ka marrë 20.8% të votave – një rezultat historik.

SPD-ja, partia socialdemokratike e kancelarit aktual Olaf Scholz duket ka shënuar një humbje historike, duke marrë vetëm 16.4% të votave – rezultati më i keq i saj që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të Gjelbrit kanë marrë 11.6%.

Partia liberale, FDP, që ishte në qeveri, ka pësuar rënie të ndjeshme në 4.3% dhe nuk do ta kalojë pragun prej 5%. Kryetari i saj, Christian Lindner, njoftoi tërheqjen nga politika, duke shkruar në X se shpreson se zgjedhjet do të sjellin “një fillim të ri për Gjermaninë”.

Merzit, ish-avokat, tani do t’i duhet ta marrë drejtimin e një qeverie të re në Berlin, mirëpo këtë aleanca CDU/CSU s’mund ta bëjë vetëm.

Formimin e qeverisë së re e komplikon goxha shumë i ashtuquajturi “Brandmauer” – premtimi i partive kryesore gjermane për të mos hyrë kurrë në një koalicion me AfD-në.

Matematikisht, siç shkroi The Guardian, një koalicion midis CDU/CSU dhe AfD-së do të pritej, por Merz ka këmbëngulur se kjo nuk është e mundur.

Një opsion më real mbetet një koalicion i CDU/CSU me SPD-në e Scholzit, apo edhe një më i madh me Të Gjelbrit të përfshirë gjithashtu. Megjithatë, ky koalicion ngjan shumë jopopullor dhe përshkruhet si “zgjidhja e fundit”.

Po ashtu, Scholz ka deklaruar se nuk dëshiron të jetë pjesë e një qeverie të udhëhequr nga CDU/CSU dhe se nuk do të negociojë. “Nëse do të ketë ka bisedime, mes SPD dhe Unionit, unë nuk do të jem negociator i SPD-së”, tha ai, duke shtuar se ka kandiduar për kancelar dhe jo për ndonjë post në një qeveri “të udhëhequr nga CSU”.

Megjithatë, mediat shkruajnë se ky është “opsioni më i mundshëm” për Merz. CDU/CSU dhe SPD do të kishin mjaftueshëm ulëse në parlament për një koalicion të madh qeveritar.

Die Linke, partia socialiste, ishte befasia e zgjedhjeve të së dielës, duke marrë 8.8% të votave. Dhe kjo, siç shkruajnë mediat ndërkombëtare, i ka ndryshuar përllogaritjet për koalicionin e ardhshëm qeveritar, me FDP-në që do të mbetet pa përfaqësim në parlament.

Partia e ekstremit të djathtë, AfD, ndërkohë që po feston rezultatin e saj më të mirë ndonjëherë, kanë shtrirë “dorën e bashkëpunimit” me CDU-në.

Çfarë do të bëjë Merz si kancelar?

Friedrich Merz ka premtuar se “që nga dita e parë” do ta zbatojë një plan 15-pikësh për ta trajtuar migracionin, një temë e cila dominoi fushatën zgjedhore.

Ai është zotuar se do të marrë masa për ta kufizuar fluksin e njerëzve që shkojnë në Gjermani, duke përfshirë forcimin e kontrolleve në kufij dhe lejimin e dëbimit më të shpejtë të azilkërkuesve të refuzuar.

Merz ka premtuar funksionalizimin e një ligji i cili sipas tij do t’u jepte fund rasteve kur azilkërkuesit lejohen automatikisht t’i sjellin familjet e tyre në Gjermani. Edhe marrja e shpejtë e shtetësisë gjermane për ta do të “ngadalësohej”.

Ka premtuar edhe ndryshimin e “modelit të biznesit në Gjermani”, duke përfshirë shkurtimin e burokracisë e uljen e taksave.

Merz është zotuar gjithashtu se do ta shkurtojë në mënyrë drastike sistemin e përfitimeve, duke reduktuar “ndihmat” për të papunët që refuzojnë vazhdimisht punë të reja, duke hequr “Bürgergeldin”.

Në politikën e jashtme, ai do të vihet nën presion të menjëhershëm për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes së Gjermanisë.

Ai tha pas fitores se “prioritet absolut” i tij do të jetë forcimi i Europës në mënyrë që ta arrijë pavarësinë nga SHBA në çështjet e mbrojtjes.

Qeveria e fundit gjermane ishte e përbërë nga SPD, Të Gjelbrit dhe FDP-ja, një koalicion trepartiak i qendrës së majtë, i lidhur në vitin 2021.