Fjalë Kyçe

Challandes thotë se nëse do të ishte lojtar do ta zgjidhte këtë ekip

Challandes thotë se nëse do të ishte lojtar do ta zgjidhte këtë ekip

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës i arsyeton futbollistët kosovarë të lindur e rritur në Zvicër që e zgjedhin ekipin “Helvetik”.

Bernard Challandes ua ka rrëmbyer zemrat tifozëve kosovare me rezultatet e regjistruara me Përfaqësuesen e Kosovës në Ligën e Kombeve dhe në ndeshjet miqësore, shkruan Gazeta Express.

Mirëpo, deklaratat e fundit të trajnerit zviceran me siguri se nuk do t’ju pëlqejnë kosovarëve.

Në një intervistë për të përditshmen zvicerane “Le Matin” në versionin e saj online, Challandes ka thënë se i arsyeton futbollistët kosovarë që janë lindur e rritur në Zvicër që vendosin të luajnë për ekipin Helvetik para Përfaqësueses së Kosovës.

Së fundmi flitet se Bastien Toma e Florent Hadërgjonaj mund t’i bashkohen Kosovës, por ai thotë se do t’i arsyetonte edhe nëse e zgjedhin Zvicrën.

“Këta janë futbollistë kosovarë dhe zviceranë, ata janë pretendentë për të dyja përfaqësueset. Nëse nuk ju vjen mundësia për të luajtur për Zvicrën, ata e kanë mundësinë t’i bashkohen Kosovës. Kosova është një vend i ri, i cili synon të bëjë ekip kombëtar. Disa e kanë fatin, apo jo, që të kenë dyshtetësi apo tri shtetësi, pasi ka disa futbollistë që mund të luajnë edhe për Shqipërinë”, theksoi fillimisht Challandes.

“Ne jemi gjithmonë gati, por nuk do ta vëmë në presion askënd. Nuk duam t’ju bëjmë presion menaxherëve, prindërve apo futbollistëve. Ne vetëm duam t’ua demonstrojmë atyre se do të ishim të lumtur t’i mirëpresim në ekipin kombëtar. Mbi të gjitha, jam i vetëdijshëm se është krejt normale nëse ata e zgjedhin Zvicrën. Nëse do të isha futbollist sot, do ta bëja edhe vetë të njëjtën zgjedhje. Është një realitet. Federata e Kosovës dhe unë jemi në të njëjtat valë, jemi mjaft të qartë në mendimet tona”, vazhdoi trajneri zviceran.

“Ekipi i Kosovës është në ndërtim e sipër, po mundohemi ta bëjmë më të mirën e mundshme dhe do t’i mirëprisnim lojtarët që na nevojiten. Ky është rasti i Tomës, i Hadërgjonajt, por edhe disa lojtarëve të tjerë në Gjermani, Austri apo edhe në vende tjera”, përfundoi Challandes.