Luhen këtë të mërkurë ndeshjet e fundit të raundit të gjashtë dhe të fazës së grupeve që do të japin verdiktet përfundimtare.
Kështu në Grupin E, luhen Ajax – Bayern i Mynihut dhe Benfica – AEK. Në sfidën e “Johan Cruyjjf Arena”, në fakt, do të luhet për vendin e parë, pasi si bavarezët ashtu dhe “harkëtarët” e kanë siguruar kualifikimin në fazën tjetër. Ajaxit i duhet vetëm fitorja për t’u marrë vendin e parë kampionëve të Gjermanisë, ndërsa sfida e Lisbonës zhvillohet vetëm për statistikë, pasi Benfica e ka siguruar vendin e tretë.
Në Grupin F, Manchester City, tashmë i kualifikuar në vend të parë, pret Hoffeheimin e vendit të fundit, ndërsa përplasja direkte Shaktar-Lyon përcakton skuadrën e dytë që do të mbesë në garë në Champions. Lyoni ka dy pikë më shumë se ukrainasit dhe, nëse fiton në këtë transfertë dhe Hofenheimi bën surprisën në Manchester, atëherë Shaktari do të humbiste edhe vendin e tretë.
Në Grupin G, Reali i Madridit, tashmë i blinduar në vend të parë, pret CSKA-në e Moskës, ndërsa Roma, gjithashtu e kualifikuar si e dyta, luan në transfertë me Plzen. Skuadra çeke e mban vendin e tretë me 4 pikë, falë avantazhit në ndeshjet direkte me rusët.
Edhe në Grupin H është zgjidhur thuajse gjithçka, Juventusi kryesues luan me Young Boys në transfertë, ndërsa Manchester United udhëton drejt Valencias. Juvja mund ta humbasë vendin e parë nëse humbet në Zvicër dhe United fiton në Spanjë. Valencia në çdo rast e ka siguruar vendin e tretë.