Giorgio Chiellin ka folur përpara ndeshjes ndaj Argjentinës.
Pasi i tha lamtumirën klubit të tij në maj, Giorgio Chiellini po përgatitet të bëjë paraqitjen e tij të 117-të dhe të fundit si kampion i Evropës me Italinë e cila luan kundër Argjentinës në finalen e madhe që zhvillohet në “Wembley”.
Qendërmbrojtësi arriti kulmin në verën e kaluar, teksa ishte kapiten i “Azzurrëve” u shpall kampion të Evropës në Euro 2020 dhe në një intervistë për faqen e UEFA-së ka folur rreth largimit të tij nga kombëtarja.
“Është e bukur. Argjentina ka lojtarë të jashtëzakonshëm. Është e qartë se i pari që ju vjen në mendje është Lionel Messi, por të tjerët rreth tij janë fantastikë. Ata nuk e fituan Kupën e Amerikës rastësisht”, tha Chiellini, përcjell lajmi.net.
“Messi është një ikonë e futbollit. Nuk më takon mua të them nëse ai është më i madhi i të gjitha kohërave apo jo. Do të jetë kënaqësi të luaj ndeshjen time të fundit për kombëtaren kundër tij. Kam pasur fatin që jam përballur me të në disa raste dhe për fat shpesh ka shkuar mirë. Lufta kundër lojtarëve të mëdhenj si ai është fat. Nëse ai dhe skuadra e tij ia dalin ashtu siç duhet, ata janë të pandalshëm”, vazhdoi ai.
“Shpresoj që tifozët të më kujtojnë si një person të mirë. Një person që personifikonte vlera të caktuara. Në fushë kam pikat e mia të forta dhe të dobëta, dhe disa do t’i mbajnë mend të dyja. Në planin afatgjatë, gjithmonë do të mbani mend gjërat më të bukura, kjo është normale”, tha në fund italiani.
Ndeshja mes Italisë dhe Argjentinës zhvillohet më 1 qershor në “Wembley”.