Fjalë Kyçe

Chievo befason Interin, ja çfarë thotë Spalletti

Chievo befason Interin, ja çfarë thotë Spalletti

Interi u zu mat pikërisht në momentin më të mirë, atëherë kur 3 pikët dukeshin të hipotekuara.

Por në Verona nuk mjaftoi goli i Perisic, sepse në finale, Chievo gjen golin e barazimit, falë realizimit të Pellissier, që i mohoi skuadrës së Spallettit shkëputjen nga sfiduesit direkt, për të ndjekur ritmin e Napolit.

Në përfundim të ndeshjes, trajneri zikaltër, Spalletti bëri analizën e përgjithshme në përfundim të ndeshjes.

“I lejuam të na zinin në befasi në një situatë tipike të Chievos, që është një skuadër e cila përdor shumë mirë sulmuesit e vet. Pellissier u tregua i zoti, është një futbollist që ka eksperiencë në ato situate dhe ndëshkoi një gabim mbi të cilin duhet të punojmë”, deklaroi Spalletti.

“Duke aktivizuar Lautaron tentova t’i lë skuadrës të kuptojë se duhet të shkonim të mbyllnim ndeshjen. Patëm disa raste, por duke ngritur linjën mbrojtëse ashtu sikurse bëmë ne, është më e lehtë të shënon golin e dyfishimit, por më pas rrezikohet edhe të biesh në një situatë si ajo që na kushtoi fitoren. Duhet të jemi më të këqinj në aspektin karakterial, për të ruajtur ato avantazhe që arrijmë të krijojmë me cilësitë tona. Herë pas here bëjmë zgjedhje jo korrekte në raport me zhvillimin e aksioneve, që nuk na lejojnë pastaj të marrim maksimumin e asaj që krijojmë”, vijoi trajneri zikaltër.

“Icardi, edhe sot bëri gjëra të rëndësishme për skuadrën, duke dhënë një dorë edhe në fazën e mbulimit. E qartë që në nivel kolektiv duhet të shfrytëzojmë më mirë disa raste, si ato që patëm në pjesën e dytë. A do të ketë ardhje të reja në janar? Besoj se kjo skuadër është vështirë e përmirësueshme me skarcimet e të tjerëve, sikurse ndodh zakonisht në merkaton e dimrit”, përfundoi Spalletti.