Një çift bashkëshortor nga Kosova raportohet se janë gjetur të vdekur të martën në banesën e tyre në Epinal të Francës.
Dyshohet se çifti ishte vrarë me thikë, derisa trupat e pajetë të tyre ishin gjetur nga fëmijet e tyre, siç raportojnë mediat franceze.
Akoma mbeten të paqarta rrethanat e rastit.
Por, në një përgjigje për Klankosova.tv nga Policia e Epinal bëhet e ditur se hetimet po vazhdojnë.
Lidhur me rastin, prokurori publik i Epinal do të mbajë një konferencë për media të premtën, tha zëdhënësi i policisë Stéphane Herveux.
“Hetimet për rastin janë duke u zhvilluar. Nuk mund të japim asnjë informacion. Prokurori Publik do të mbajë një konferencë për media të premtën më 29 prill 2022”-thuhet në përgjigje.
Sipas raportimeve të mediave në Francë, të ndjerët ishin prindër të shtatë fëmijeve nga mosha 5 deri 21 vjeç.