Fjalë Kyçe

Çifti nga Malisheva që vdiq në aksident po vinin nga Sllovenia në Kosovë

Çifti nga Malisheva që vdiq në aksident po vinin nga Sllovenia në Kosovë

Burri dhe gruaja nga Malisheva që vdiqën në aksidentin e sotëm, po vinin nga Sllovenia, në vendlindje, bashkë me dy fëmijët e tyre, raporton Gazeta Express.

Një tragjedi ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Podujevë. Nga aksidenti me një autobus, një çift që gjendej në veturë humbi jetën, ndërsa dy fëmijët e tyre. Çifti po vinin nga Sllovenia për pushime në Kosovë.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Për rastin është deklaruar për Gazetën Express edhe Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati.

Ai ka thënë se njëri nga fëmijët që ka mbetur i lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa tjetri i lënduar lehtë.

“Dy qytetarë nga Komuna e Malishevës e kanë humbur jetën në një aksident trafiku. Njëri nga fëmijët është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe tjetri është i lënduar lehtë. Komuna e Malishevës është në ditë dhimbje e pikëllimi për humbjen e tyre. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe gjithë qytetarëve”, ka thënë Kastrati.