Fjalë Kyçe

Çiklistët marshojnë kundër ajrit të ndotur

Çiklistët marshojnë kundër ajrit të ndotur

Përveç kushteve minimale të infrastrukturës dhe sigurisë, çiklistët thonë se tani po përballen edhe me ajër të pashëndetshëm, i cili vjen si rrjedhojë e dominimit të mjeteve motorike në rrugët e kryeqytetit. Këtë situatë çiklistët po e shohin si pengesë që ky mjet të përdoret edhe më shumë.

E për të shprehur këtë shqetësim ata sot organizuan edhe marsh kundër ajrit të ndotur në kryeqytet i cili pikën e startit e pati te Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe përfundoi në Gërmi.

Organizatorët thanë se marshi i ditës së sotme kishte për qëllim edhe vetëdijesimin e shoqërisë drejt përdorimit të biçikletës si transport i qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin.

Në përkrahje të këtij marshi doli edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, sipas të cilit drejtuesit e automjeteve duhet të jenë më të kujdesshëm në raport me çiklistët.

Bajqinovci tha se duhet sa më shpejtë të krijohen rrugë për çiklistët në mënyrë që këta të fundit t’i kenë trasetë e tyre.

“Qëllimi i këtij marshi të çiklistëve sot është vetëdijesimi i qytetarëve, vetëdijesimi i ngasësve të automjeteve të cilët duhet të kenë shumë kujdes për çiklistët sepse është shumë rrezik, duhet sa më shpejt të krijohen rrugë për çiklistët që t’i kenë traset e veta dhe unë shpresoj që me këtë nismë të çiklistëve të Kosovës do të bëhet tradicionale dhe sa më shpesh të dalim dhe të merremi me qytetarët sidomos me ngasësit e veturave të cilët shumë pak kujdesën për çiklistët”, u shpreh deputeti i VV-së, transmeton KP.

Bajqinovci theksoi se, do t’ i mbështesë gjithmonë çiklistët dhe do të kontribu ojë në vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e këtij sporti.

Çiklistja Vera Nika tha se aktiviteti i sotëm ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare për këtë sport, sipas saj jo rastësisht nisjen e këtij aktiviteti e kanë bërë te njëra ndër zonat më të ndotura e që është ajo pranë Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për të kaluar te pika më e pastër e që është parku i Gërmisë.