Fjalë Kyçe

Cilat do të jenë pasojat për ekonominë botërore nëse Rusia e pushton Ukrainën?

Cilat do të jenë pasojat për ekonominë botërore nëse Rusia e pushton Ukrainën?

Rusia dhe Ukraina janë ekonomi relativisht të vogla, pavarësisht nga fakti se Rusia kontrollon territorin tokësor më të madh në botë, dhe Ukraina ka sipërfaqen më të madhe të tokës së punueshme në Evropë(përveç Rusisë).

Sipas Bankës Botërore, në vitin 2020, prodhimi bruto i Rusisë ishte afro 1.500 miliardë ose 1.5 trilionë dollarë. Ndërkohë PBB-ja e Ukrainës ishte sa 1/10 e saj, pra 150 miliardë dollarë. Nga ana tjetër, PBB-ja globale ishte 85.000 miliardë ose 85 trilionë dollarë, kështu që së bashku ato gjenerojnë vetëm 2 për qind të prodhimit botëror.

Parë nga ky këndvështrim, ndikimi i drejtpërdrejtë i çdo gjëje që ndodh atje mezi mund vërehet në pjesën tjetër të botës. Por në ekonominë botërore ekzistojnë lidhje kaq komplekse, saqë kjo llogaritje e thjeshtë dhe në dukje ngushëlluese, nuk qëndron.

Rusia është në mënyrë disproporcionale e rëndësishme si eksportuesja më e madh në botë e gazit, dhe prodhuesja e tretë më e madhe e naftës dhe e produkteve të naftës. Ukraina ka rëndësi si prodhuese ushqimore, veçanërisht të drithërave. Ajo është eksportuesja e pestë më e madhe në botë e grurit dhe misrit, dhe e gjashta më e madhja e elbit, raporton “The Indipendent”.