Fjalë Kyçe

Çitaku: Historia e Kosovës po tentohet të ndryshohet

Çitaku: Historia e Kosovës po tentohet të ndryshohet

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se historia shkruhet vetëm njëherë dhe nuk përsëritet.

Ajo ka thënë se në fjalimet që u bënë sot në seancën e jashtëzakonshme për nder të 14 vjetorit të pavarësisë ka munguar mirënjohja ndaj personave që kanë kontribuar për këtë ditë.

Ajo tha se ka përpjekje të vazhdueshme për të ndryshuar historinë.

“Historia shkruhet vetëm njëherë. Mund të ketë përpjekje të kohë pas kohëshme nga personazhet e ndryshme që të anashkalohen disa pjesë, disa akterë, por historia i reziston kohës dhe faktet i rezistojnë kohës”, tha ajo.

Duke tentuar që të ndryshohet historia, sipas Çitakut po ndryshohen edhe përpjekjet shekullore dhe ndërhyrjet ndërkombëtare.

“Në fakt historia jonë po tentohet që të ndryshohet dhe rishkruhet në shumë fronte. Nuk do të jetë një betejë e lehtë. Nuk do të jetë një betejë vetëm e jona sepse duke synuar që ta ndryshojnë dhe rishkruajnë pavarësinë e Kosovës disa po mundohen të rishkruajnë dhe ndryshojnë edhe përpjekjet shekullore, ndërhyrjet ndërkombëtare e kështu me radhë”, tha ajo.

Lidhur me fjalimin e kryeministrit Albin Kurti, nënkryetarja e PDK-së tha se nuk mund të festohet dita e pavarësisë pa u përmendur akterët kryesorë të shpalljes së pavarësisë.

“Ajo çfarë më ka lënduar sot ka qenë mos përfshirja. Nuk mund të festohet dita e pavarësisë pa u përmendur akterët kryesorë të përfshirë në atë kohë. E kemi pasur presidentin Sejdiun, kryeministrin Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi që kanë qenë bartës të institucioneve në atë periudhë dhe ne duhet të mësohemi të tregojmë mirënjohje”, deklaroi më tutje ajo në T7.

Çitaku deklaroi se përvjetori i pavarësisë duhet që t’i bashkojë të gjithë e jo një ditë që i përçan qytetarët.

“Sot do të duhej të ishte një ditë që na bashkon, një ditë në të cilën ne reflektojmë për rrugëtimin tonë historik e jo një ditë që na ndanë, na përçan. Fjalimet në Kuvend sot do të duhej të ishin në këtë frymë, e jo të bëhej bilanci i punës së Qeverisë, të kritikohet opozita apo mediat”, tha ajo.