Fjalë Kyçe

Çka do të sjellë takimi i Brukselit, ngjitësa apo njohje të tabelave?

Çka do të sjellë takimi i Brukselit, ngjitësa apo njohje të tabelave?

Në Bruksel sot dhe nesër do të zhvillohen takime në mes të Kosovës dhe Serbisë rreth marrëveshjes për targat e automjeteve.

Por, ish-koordinatori Nacional për dialog, Skender Hyseni vlerëson se arritja e një ujdie mes palëve rreth kësaj çështjeje nuk është aspak e rëndësishme dhe se sipas tij Qeveria e Kosovës po vazhdon me gabime strategjike në dialog me Serbinë.

“Nuk është aspak e rëndësishme një “marrëveshje” për targat me Serbinë, u arrit, s’u arrit. Nuk ka asnjë vlerë, apo relevancë. Qeveria e Kosovës po vazhdon me gabime strategjike në dialog me Serbinë. Dhe, mënyra si e bën dialogun Kurti shkon tërësisht në favor të Serbisë, e cila e do ruajtjen e status-quos në raportet Kosovë-Serbi, duke bërë lojëra të tipit: “Hajde po improvizojmë diçka?”, tha ai.

Tutje Hyseni ka thënë që e vetmja çështje që duhet të bisedohet me Serbinë është njohja e ndërsjellë, e jo diçka tjetër.

“Vetëm kështu zgjidhen dhe bëhen të zbatueshme të gjitha çështjet tjera të natyrës teknike midis dy vendeve”, u shpreh ai.

Derisa analisti politik, Gazmir Rraci, tha se dialogu teknik duhet të përfundojë sa më shpejtë.

“Marrëveshja duhet të arrihet dhe të jetë e bazuar në reciprocitet të plotë. Targat ilegale duhet të largohen përfundimisht nga qarkullimi dhe nuk duhet lejuar asnjë fazë tranzicioni, sepse në dialogun teknik më herët kanë qenë 5 vite fazë e kalimit. Sipas informatave, tashmë shumica e serbëve të Kosovës janë të pajisur me tabela të Republikës së Kosovës. Dialogu teknik, duhet të përfundojë me shpejtë dhe të hyjmë në fazën përfundimtare dhe të kemi marrëveshjen finale e cila duhet të jetë ligjërisht e obliguar për të dyja shtetet, Kosovën dhe Serbinë”, tha Rraci.

Sipas tij përfundimi i shpejtë i dialogut hap perspektivë euroatlantike të Kosovës dhe e ndihmon edhe Serbinë me qenë afër Bashkimit Evropian.

Por a mund të konsiderohet sërish si mundësi vendosja e ngjitësve?

“Ideale do ishte njohja e tabelave pa pasur nevojë për ngjitësa, por për shkak të mos njohjes së ndërsjellë si dy shtete, atëherë ky opsion mund të jetë sërish kompromis deri në marrëveshjen finale”, u shpreh tutje Rraci.

21 prilli është data ku skadon afati i marrëveshjes së përkohshme për targat, e cila është arritur më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel dhe kishte vlefshmëri për rreth gjashtë muaj.

Derisa një ditë para skadimit të këtij afati, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.