Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, i cili po qëndron në Kosovë me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
Ish-presidenti, Bill Clinton, ka thënë se Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të jetuar në paqe me fqinjët.
“Gjithmonë kam qenë krenar që sa isha president i SHBA-së, kur është dashur kam bërë atë që të mos ketë më njerëz që lënë shtëpitë te tyre, të mos ketë më vrasje, dhe të bëhet më mirë. Por krejt çka kemi bërë është që populli i Kosovës ka marrë vendim ta ndërtojë shtetin e tyre, jetën e tyre dhe të largohet nga lufta në rrugë të paqes”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
Clinton ka thënë se edhe në kohën kur ka ndihmuar shqiptarët, ka besuar që do t’ia dalin.
“Dhjetë vite më parë kam besuar por edhe tani besoj se do t’ia dilni, dhe këtë e keni dëshmuar”, është shprehur ai.
I pytur për dialogun, Clinton ka thënë se Kosova meriton të jetë pjesë e BE-së si shtet i pavarur.
“Kosova meriton të jetë në Bashkimin Europian, në NATO dhe në organizata tjera si vend i pavarur”, ka thënë ai.
Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi duke i uruar mirëseardhje ish-presidentit Clinton ka thënë se ai ka dhënë kontribut që nuk mund shpërblehet me asgjë.
Me këtë rast, ai ka dekoruar ish-presidentin Clinton me medaljen “Urdhri i Lirisë”, për kontributin e tij.