Fjalë Kyçe

CNN: Vlerësimet fillestare të inteligjencës sugjerojnë se SHBA-ja nuk i shkatërroi objektet bërthamore në Iran

CNN: Vlerësimet fillestare të inteligjencës sugjerojnë se SHBA-ja nuk i shkatërroi objektet bërthamore në Iran

Sulmet amerikane ndaj tre objekteve bërthamore në Iran në fundjavë, s’kanë shkatërruar komponentët kryesorë të programit bërthamor iranian dhe me shumë gjasa e kanë shtyrë vetëm disa muaj prapa, thuhet në vlerësimet fillestare të inteligjencës amerikane, raporton “CNN”.

Vlerësimi është prodhuar nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, një krah i inteligjencës i Pentagonit. Ai vlerësohet në një vlerësim të dëmeve që është bërë nga Komanda Qendrore e SHBA-së pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore në Fordo], Isfahan dhe Natanz, tha një nga burimet.

Analiza e dëmeve në objekte dhe ndikimi i sulmeve në ambiciet bërthamore të Iranit po vazhdon të vlerësohet, dhe mund të ndryshojë pasi më tepër inteligjencë bëhet e disponueshme. Por, gjetjet fillestare janë në kundërshtim me pretendimet e vazhdueshme të presidentit amerikan se sulmet “shkatërruan plotësisht” objektet e pasurimit bërthamor të Iranit. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha gjithashtu të dielën se ambiciet bërthamore të Iranit “janë zhdukur”.

Dy persona të njohur me vlerësimin thanë se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit nuk janë shkatërruar. Njëri nga personat tha se centrifugat janë kryesisht të “paprekura”.

“Pra vlerësimi i DIA-s është se SHBA-ja shtyu ndoshta për disa muaj prapa”, tha burimi.
Shtëpia e Bardhë ka pranuar ekzistencën e këtij vlerësimi, por shtoi se nuk pajtohet me të.

Sekretarja për media e Shtëpisë së bardhë, Karoline Leavitt, i tha CNN-it se ky vlerësim i supozuar është “krejtësisht i gabuar dhe u klasifikua si ‘top sekret’”.

“Por, prapëseprapë u zbulua nga CNN nga një dështak anonim i nivelit të ulët në komunitetin e inteligjencës. Rrjedhja e këtij vlerësimi të supozuar është një përpjekje e qartë për ta poshtëruar presidentin Trump dhe për të diskredituar pilotët e guximshëm luftarakë që kryeson një mision të ekzekutuar në mënyrë të përsosur për ta zhdukur programin bërthamor të Iranit. Të gjithë e dinë se çfarë ndodh kur hedhni 14 bomba 30 mijë pound (mbi 13 mijë e 607 kg) në mënyrë të përsosur mbi objektivat e tyre: zhdukje totale”, ka thënë Leavitt.

Ushtria amerikane ka thënë se operacioni shkoi sipas planit dhe ishte “një sukses i jashtëzakonshëm”.
Është ende herët që SHBA-ja të ketë një pamje gjithëpërfshirëse të ndikimit të sulmeve, pasi asnjë nga burimet nuk e përshkroi se si vlerësimi i DIA-s krahasohet me pikëpamjen e agjencive tjera në komunitetin e inteligjencës. SHBA-ja vazhdon të mbledhë informata, përfshirë nga brenda Iranit për ta vlerësuar dëmin.

Izraeli kishte kryer sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit me ditë të tëra, para operacionit ushtarak amerikan, por pretendoi se kishte nevojë për bombat bunker-shkatërruese të SHBA-së për ta përfunduar punën. Bomarduesit amerikanë B-2 hodhën 14 bomba bunker shkatërruese në dy objekte bërthamore të Iranit, në Fordow dhe Natanz. Por, në vlerësim thuhet se bombat nuk i eliminuan plotësisht centrifugat dhe uraniumin shumë të pasuruara të Iranit.

Në vend të kësaj, ndikimi në tri objektet bërthamore ishte kryesisht i kufizuar në strukturat mbitokësore, që u dëmtuan rëndë, thanë burimet. Kjo përfshin infrastrukturën e energjisë të atyre vendeve dhe disa objekte mbitokësore të përdorura për ta shndërruar uraniumin në metal për prodhim të bombave.

“Bazuar në çdo gjë që kemi parë, dhe unë i kam parë të gjitha, fushata jonë e bombardimeve zhduku aftësinë e Iranit për të krijuar armë bërthamore. Bombat tona masive goditën saktësisht vendin e duhur në secilin objektiv dhe funksionuan në mënyrë perfekte…Kushdo që thotë se bombat nuk ishin shkatërruese thjeshtë po përpiqet ta minojë presidentin dhe misionin e suksesshëm”, tha Hegseth.

Të martën presidenti amerikan Trump përsëriti besimin se dëmi nga sulmet ishte i konsiderueshëm.

“Mendoj se është shkatërruar plotësisht”, tha Trump.