Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka folur edhe për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, në konferencën e Ambasadorëve të BE’së për vitin 2025.
Costa në fjalimin e tij ka përmendur gjashtë shtetet e Ballkanit Përëndimor, si dhe Ukrainën e Moldavinë, duke thënë se e ardhmja e tyre është brenda BE’së. Ai ka thënë se ka momentum të ri për zgjerim, shkruan Reporteri.net.
“Është gjithashtu e qartë se zgjerimi është investimi më i mirë gjeostrategjik në paqen, sigurinë dhe stabilitetin tonë që ne të gjithë mund të bëjmë. Me Ukrainën, Moldavinë dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sepse e ardhmja e tyre qëndron brenda Bashkimit Evropian. Kjo dëshmon se Bashkimi Evropian është tërheqës dhe i fuqishëm. Tani kemi një momentum të ri për zgjerim, le të krijojmë kushtet e nevojshme, nga të gjitha anët, për të përfituar”, ka thënë Costa.
Fjalimi i tij është shpërndarë edhe në faqen e Zyrës së BE’së në Kosovë, në platformën “x”.
Duke iu drejtuar ambasadorëve të BE’së, Costa ka thënë se roli i tyre është vendimtar.
“Të sigurt, bashkë, kreativë. Kështu duhet t’i qasemi një bote të vështirë. Kështu do të kemi sukses. Dhe për këtë roli juaj, të nderuar ambasadorë, do të jetë vendimtar, ju jeni Bashkimi Evropian në të gjitha anët e botës. Ne duhet ta shfrytëzojmë atë rrjet edhe më shumë, së bashku me ambasadat e vendeve anëtare, së bashku me partnerët tanë”, ka deklaruar Costa.
Ndryshe, në dhjetor të vitit 2024, Këshilli i çështjeve të përgjithshme i Bashkimit Evropian në takimin e ministrave të vendeve anëtare, kishte miratuar konkluzionet kushtuar procesit të zgjerimit.
Nëpërmjet tyre vendet anëtare të BE-së kanë përsëritur përkushtimin për vazhdimin e procesit të zgjerimit, bazuar në parimin e meritave individuale të vendeve që synojnë integrimin në BE, por edhe u kanë bërë thirrje atyre që të vazhdojnë procesin e reformave si dhe t’i zgjidhin edhe mospajtimet bilaterale.
Bashkimi Evropian, përmes këtyre konkluzioneve, u kishte bërë thirrje edhe Kosovës edhe Serbisë që pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre, duke ua rikujtuar se ky është edhe kusht për përparimin e tyre në procesin e integrimit në BE.
Nga Kosova në veçanti është kërkuar që të nisë pa vonesa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia nisja e njohjes së dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.
“Këshilli përsërit se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi për implementim, të miratuara në shkurt dhe mars 2023, duhet të respektohen dhe zbatohen në tërësi sa më shpejt që të jetë e mundur, pa parakushte, sikur edhe të gjitha obligimet e tjera nga BE-ja, po ashtu edhe të gjitha obligimet ekzistuese nga dialogu”, thuhet në këtë dokument ku nënvizohet thirrja që ka të bëjë me krijimin e Asociacionit.
“Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, duke nisur me përcjelljen e draftit të Statutit të cilin palëve ua kishte prezantuar lehtësuesi i BE-së, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovën, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pa vonesa të reja”, thuhej ndër tjerash.