Fjalë Kyçe

COVID-19, 14 persona në QKUK janë në gjendje të rëndë, në mesin e tyre edhe gruaja shtatzënë

COVID-19, 14 persona në QKUK janë në gjendje të rëndë, në mesin e tyre edhe gruaja shtatzënë

14 pacientë me koronavirus që po trajtohen në QKUK janë në gjendje të rëndë, mes tyre dy në kujdesin infektivë. Këtu, bëhet fjalë edhe për gruan shtatzënë që rezultoi pozitive ditë më parë.

Këtë e ka konfirmuar në një prononcim për media, infektologia Vera Berisha-Ndreja, e cila tha se janë duke i pritur rezultatet edhe për gjashtë të dyshuar të tjerë

“Për momentin në Klinikën Infektive janë 55 pacientë të konfirmuar, me Covid pozitiv. Prej tyre në gjendje të rëndë janë 14 pacientë. I llogarisim pacientët te cilët janë me oksigjeno-terapi, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje tejet të rëndë deri edhe kritike në mjekimin intensiv që është në kuadër të Klinikës Infektive. Në pritje të rezultateve deri më tani i kemi 6 pacientë, por ky nuk është numri i saktë se nga ora në orë mund të ndryshojë”, thotë ajo.

Ajo tregon për gjendjen e pacientes shtatzënë, e cila është në mesin e dy pacientëve të cilët po trajtohen në kujdesin intensiv.

“Gjendja e pacientes shtatzënë është kritike, por për momentin është me parametra vital stabil. Është në mjekimin intensiv, në ventilim mekanik, themi se është e intobuar. Po ashtu edhe pacienti tjetër”, tregon ajo.

Kujtojmë se deri sot në Kosovë janë konfirmuar 510 persona të infektuar me koronavirus, prej tyre 93 janë shëruar, ndërsa 12 të tjerë kanë humbur betejën e luftimit me këtë pandemi.