Kina njoftoi të premten një numër më të madh personash të vdekur në Wuhan si pasojë e COVID-19 sesa ishte njoftuar fillimisht. Wuhani, epiqendra e pandemisë në vend, e rriti numrin e vdekjeve me më shumë se 50 për qind. Zyrtarët kinezë të shëndetësisë thanë në një deklaratë se në këtë qytet kishin vdekur edhe 1.290 persona të tjerë si pasojë e virusit , gjë që e çon totalin për Wuhanin në 3,869 viktima. Zyrtarët njoftuan gjithashtu një shifër më të lartë të prekurve nga virusi duke e rritur atë me 325 persona, duke çuar totalin e përgjithëm në 50.333 raste (Wuhan).
Në deklaratë thuhej se kishte një numër arsyesh për “mospërputhjet e të dhënave”, përfshirë faktin sipas tyre se rritja e numrit të pacientëve i “tejkaloi burimet mjekësore dhe aftësinë e pranimit të institucionet e kujdesit shëndetësor” dhe disa persona që kishin vdekur në shtëpi nuk ishin përfshirë në numrin e raportuar më parë.
Zyrtarët ndërkombëtare të shëndetit publik kanë qenë skeptikë ndaj njoftime fillestare të Kinës mbi numrin e të prekurve dhe të vdekurve si pasojë e pandemisë, duke thënë se statistikat e Kinës ishin më të ulëta në krahasim me ato të vendeve të tjera.
Zhao Linjian, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze tha të premten se Kina asnjëherë nuk është përpjekur të mbulojë faktet. Ai tha se rishikimi i numrave ishte rezultat i verifikimit statistikor për të dhënë një shifër më të saktë të ndikimit të virusit në vend.
Në të gjithë botën rezultojnë më shumë se 2 milionë raste të konfirmuara me COVID-19 dhe afro 150,000 vdekur, sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se ndërsa virusi duket se po i “kursen” fëmijët duke mos u shfaqur me “simptomat të rënda”, jeta e tyre po vështirësohet tërësisht.
Ai u bëri thirrje vendeve që “të mbrojnë fëmijët dhe mirëqenien e tyre” duke shtuar se me miliona fëmijë nuk po shkojnë në shkollë dhe po humbasin mundësinë e qasjes tek ushqimi që ofron shkolla. Izolimi i njerëzve në të gjithë botën do të thotë tha zoti Guterres se fëmijët e mbyllur në shtëpitë e tyre mund të jenë “viktima e dëshmitarë të dhunës dhe abuzimit në familje”./VOA