Fjalë Kyçe

Cramon: Qytetarëve të Kosovës u duhet një datë për liberalizim të vizave

Cramon: Qytetarëve të Kosovës u duhet një datë për liberalizim të vizave

Këshilli Evropian ka diskutuar sot edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke mos dhënë asnjë sinjal pozitiv.

Për këtë ka reaguar raportuesja e BE-së për Kosovën, Viola von Cramon.

Përmes një postimi në Twitter Cramon tha se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se qytetarët e Kosovës duan një datë.

Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë të qartë një datë, e kjo varet nga Këshilli Evropian.

“I gëzohem faktit që Këshilli i Bashkimit Evropian ka diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mirëpo, kjo nuk është e mjaftueshme. Qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë të qartë një datë. E gjitha kjo varet vetëm nga Këshilli”, shkroi ajo.

Ndërkohë, në Draftin e Konkluzave tashmë të përgatitur nga Këshilli Evropian sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, vetëm përsëritet se “Këshilli kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet se “propozimi është duke u shqyrtuar në Këshill” dhe rikujtohet se Komisioni Evropian kishte propozuar qysh në vitin 2018 që Kosovës t’i hiqen vizat.