Fjalë Kyçe

CSD siguron që ndeshja Spanjë-Kosovë do zhvillohet në kushte normale

CSD siguron që ndeshja Spanjë-Kosovë do zhvillohet në kushte normale

Këshilli i Lartë i Sporteve, ka dalë me një deklaratë për ndeshjen e Spanjës me Kosovën.

Këshilli i Lartë i Sporteve (CSD) ka dalë me një deklaratë zyrtare për ndeshjen e 31 marsit ndërmjet Kosovës dhe Spanjës që do të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Kupen e Botës në Katar 2022, transmeton lajmi.net.

Ditë më parë, FFK-ja kërcënoi se ndeshja nuk do të zhvillohej nëse Kosova nuk do paraqitej me simbole dhe me himnin e saj. Kjo deklaratë bëri bujë në mediat ndërkombëtare, dhe tani edhe Këshilli i Lartë i Sporteve në Spanjë ka reaguar.

Sipas Këshillit, situata politike e shteteve nuk do të ketë ndikim në këtë ndeshje, pasi ndeshja është konform rregullave të FIFA-së.

Edhe presidentja e Këshillit, Irene Lozano, siguroi opinionin e gjerë se ndeshja është në përputhje me të gjitha normat dhe ligjet e FIFA-së dhe nuk ka probleme politike.

“Janë marrë një sërë vendimesh që do të lejojnë zhvillimin e ndeshjes. Nuk ekziston as problemi më i vogël. Kushtet në të cilat kjo ndeshje do të zhvillohet është brenda normalitetit absolut dhe nuk ka të bëjë me njohjen e shtetit të Kosovës, sepse është pozicioni i Spanjës dhe nuk do të ndryshojë”, tha Lozano.

“Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por kjo nuk do të thotë që Spanja nuk merr pjesë në garat në të cilat merr pjesë Kosova. Kjo është një nga virtytet e mëdha të sportit, të jesh në gjendje të kapërcesh mosmarrëveshjet e një lloji tjetër”, përfundoi Irene Lozano.

Ndeshja ndërmjet të dy kombëtareve do të zhvillohet me 31 mars në kushte normale në Sevilla të Spanjës.