Gjatë ditës së djeshme, në rrjete sociale kanë qarkulluar pamje të thyerjes së xhamit të një makine nga një person i cili më pas ka vjedhur një çantë.
Për këtë Gazeta Express ka kontaktuar Policinë e Kosovës në Prizren, ku është bërë e ditur se thyerja dhe vjedhja në veturë ka ndodhur dje.
Rasti ka ndodhur rreth orës 16:00, me ç’rast janë vjedhur një çantë në të cilën gjendeshin disa telefona. Viktima e rastit pretendon se është dëmtuar me vlerë rreth 600 euro.
Vesel Gashi, zëdhënësi i Stacionit Policor në Prizren ka thënë se gjithçka ka ndodhur në parkingut e Abi Çarshia, në rrugën Tirana” tha Gashi.
“Sipas viktimës, janë vjedhur tre telefona me vlerë rreth 600 euro; gjithmonë sipas viktimës” tha Gashi.
Ndërsa Admir Shala, nga prokuroria e Prizrenit, ka thënë se Policia në bashkëpunim me prokurorinë janë duke e hetuar rastin, por ende nuk është zbuluar se kush janë personat që e kryen veprën penale.
“Policia në bashkëpunim me prokurorinë është duke i grumbulluar provat me qëllim të zbulimit të identitetit të kryesve” tha Shala për Gazetën Express, duke shtuar se ata “për momentin janë ende të panjohur”.
Shala shtoi se ende nuk ka informacione të sakta sa i përket makinës të cilën hajdutët e kishin përdorur.
Edhe pse ajo ishte kapur nga kamerat e sigurisë, nuk ka ende informacione për shkak se makinat shpesh merren me qira ose vidhen nga makina të tjera.
“Akoma nuk kemi informacione të sakta sepse veturat shpesh herë merren në Rent a Car ose tabelat vidhen nga automjetet tjera me qëllim të mos zbulimit” tha ai.
Prokuroria, gjithashtu ka shtuar se kanë dyshime që ky grup është pjesë e një strukture më të gjerë, e që vjedhin në tërë territorin e Kosovës.
“Është një grup i madh që është nën hetim që kryejnë këso vjedhje në tërë territorin e Kosovës” tha Shala.
Hajdutët, gjatë ditës së hëne kishin arritur ta thyenin xhamin e makinës me lehtësi, dhe kishin vjedhur një çantë. Dy persona prisnin në makinë, ndërsa njëri e kreu veprën penale.