Veterani i Real Madridit, Dani Carvajal, i ka kërkuar lojtarëve të ri në klub që të jenë më të durueshëm, në një sezon ku Arda Guler u pa tejet i nervozuar me mungesën e minutave gjatë muajve të fundit.
Ka qenë një sezon i rikthimit për Carvajal, për të cilin një vit më parë tifozët kërkonin që klubi të përforcohej në krahun e djathtë të mbrojtjes, por këtë sezon ai ka qenë njëri ndër më të mirët në Evropë.
Kjo përfshin edhe kontributin e tij në fazën e sulmit, dhe ai ishte pyetur se si ndryshimi i sistemit ka pasur ndikim tek forma e tij.
“Ne kemi më shumë hapësirë dhe më shumë lojtarë brenda zonës. Unë po kontribuoj shumë në fazën ofanzive, por ne të gjithë e bëjmë këtë së bashku. Sistemi përshtatet varësisht nga kundërshtari”, ka thënë Carvajal.
Ai gjithashtu është pyetur për t’i dhuruar disa këshilla lojtarëve të rinj brenda ekipit.
“Disa vite më parë edhe unë isha në gjendjen e tyre. Ju duhet të fokusoheni në atë që bëjnë veteranët, por lojtarët e rinj tani po arrijnë mjaft të përgatitur. Do të kërkoja nga ata që të kenë durim. Gjithsecili kalon në momentet kur mbetet në bankë rezervë, dhe kjo ka të bëjë që të mësosh eksperienca të reja”.
“Roli i çdo lojtarit në ekip evoluon. Unë tani jam njëri nga veteranët dhe mundohem që të jem një shembull. Një koleg me të cilin ata mund të reflektojnë mbi vetveten, të kenë një bisedë me të. Tentoj që të sigurohem se të rinjtë po lëvizin në të njëjtin drejtim si ne të tjerët”, përfundoi spanjolli.