Danimarka e ka ndaluar përfundimisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër Covid-19 për shkak të një lidhjeje të mundshme shkak-pasojë midis kësaj vaksine dhe formimit të mpiksjes së gjakut, shkruajnë disa media daneze sot, duke cituar burime të tyre. Danimarka është vendi i parë evropian që vendos të ndalojë përgjithmonë vaksinimin me AstraZeneca, transmeton Gazeta Express.
Për shkak të vendimit për ta ndaluar përdorimin e kësaj vaksine, programi i vaksinimit në Danimarkë do të vonohet për disa javë, raportoi TV 2.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) njoftoi javën e kaluar se një lidhje e mundshme midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut është identifikuar në raste të rralla, por që rreziku i vdekjes nga Covid-19 është “shumë më i lartë” sesa rreziku i vdekjes nga efektet e rralla anësore të kësaj vaksine.
Më 11 mars, Danimarka pezulloi përkohësisht vaksinimin me AstraZeneca kundër Covid-19 pas raporteve të rasteve të mpiksjes së gjakut, njëra prej të cilave u raportua në vend në atë kohë.
Danimarka vendosi gjithashtu “në pritje” edhe një vaksinë të prodhuar nga “Johnson & Johnson” për të njëjtën arsye.