Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur seancën e tretë përgatitore në prag të dy ndeshjeve kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë, shkruan Gazeta Alo.
Në stërvitjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri”, përzgjedhësi Bernard Challandes ka pasur në shërbim të gjithë futbollistët, pasi ekipit i është bashkuar edhe Benjamin Kololli.
Atmosfera në Kombëtare është shumë e mirë, ashtu sikurse edhe forma e futbollistëve. Gjatë seancës së sotme përzgjedhësi Challandes ka punuar në aspektin tekniko-taktik, si në fazën e mbrojtjes edhe në atë të sulmit. Po ashtu gjatë kësaj stërvitje u provuan skema të ndryshme, për ta pasur sa më të qartë dhe më të përgatitur duelin e së premtes kundër Malit të Zi në Podgoricë.
Kombëtarja do ta zhvillojë nesër stërvitjen e fundit në “Fadil Vokrri” në orën 10:30, derisa në orën 14:00 do të niset për në Podgoricë, ku të enjten në mbrëmje do ta zhvillojë stërvitjen finale para ndeshjes me malazezët.
Pas ndeshjes në konferencën për media u paraqitën Amir Rrahmani dhe Mërgim Vojvoda, të cilët u shprehën optimistë për dy ndeshjet e radhës.
“Edhe pse kemi shumë mungesa mendoj se kemi futbollistë mjaft cilësor të cilët mund ta zëvendësojnë secilin që mungon. Personalisht mendoj se dueli me Malin e Zi do të jetë më i vështirë, pasi ka lojtarë shumë kualitativ dhe e kanë dëshmuar veten edhe kohët e fundit. Nuk them se Bullgaria është e dobët, por mendoj se për ne do të jetë më e lehtë se sa në ndeshjen e kaluar, ngase do të kemi më shumë hapësira për t’i ndëshkuar”, ka theksuar Amir Rrahmani.
Ai ka thënë se lëndimi që kishte pësuar në gju në finalen e Kupës së Kroacisë fatmirësisht nuk ka qenë aq i rëndë sa që mendohej fillimisht dhe çdo ditë e më shumë po e rimerr veten. “Realisht ende nuk ndihem në 100 përqindshin tim. Por do ta shohim si do të shkoj procesi deri në ditën e ndeshjes dhe pastaj do ta vendosim bashkë me trajnerin dhe stafin mjekësor”, ka shtuar Rrahmani.
Ndërkaq, Mërgim Vojvoda ka thënë se Kosovës nuk i intereson se në çfarë pozite renditen në FIFA kundërshtarët e saj, sepse synimi i verdhekaltërve është gjithmonë të futen në ndeshje për të fituar, para ndeshjes kualifikuese për Kampionat Evropian kundër Malit të Zi të premten.
“Nuk duhet ta shikojmë ku ndodhen ata e ku ne në renditje e FIFA-s, por duhet të luajmë për t’i marrë tri pikë. Njëjtë vlen edhe kundër Anglisë që është brenda top 10-shës, duhet të luajmë në çdo ndeshje pa frikë. 11 lojtarë janë ata, 11 jemi ne. Faktin që do të luhet ndeshja pa tifozë nuk e di ta vlerësoj keq apo mirë për ne. Normalisht çdo futbollist ka dëshirë të luaj në një stadium me shikues, por ndoshta malazezët do ta ndjejnë më shumë mungesën e shikuesve”, ka thënë Vojvoda.
Ai është pyetur edhe për transferimin te skuadra e tij e re Standard Liege, për të cilin tha se ndihet i lumtur për vendimin e marrë, pasi është njëri ndër klubet më të mëdha në Belgjikë krahas Anderlechtit./Gazeta Alo