Fjalë Kyçe

Defekti në ngrohje bën që një shkollë në Malishevë të shkurtojë orarin, Komuna s’ka datë për sanim

Defekti në ngrohje bën që një shkollë në Malishevë të shkurtojë orarin, Komuna s’ka datë për sanim

Nxënësit e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Nuhi Mazreku” në Gurishtë të Malishevës, tash e një kohë janë pa ngrohje në klasa. Disa prindër që kanë fëmijët në këtë shkollë janë ankuar për gjendjen e ambientit në klasa.

Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, Blerim Thaçi, i cili i ka thënë KOHËS se për defektin janë njoftuar javën e fundit dhe kanë vendosur që orët mësimore t’i mbajnë me orar të shkurtuar deri në sanimin e prishjes.

“Në shkollën ‘Nuhi Mazreku’ ka ndodhur një prishje tek ngrohja qendrore dhe jemi duke punuar në sanimin e saj. Kemi propozuar që gjatë kësaj kohe procesi mësimor të kalojë në formë online nga shtëpitë, mirëpo Task-forca për Arsim, në diskutim me neve, ka propozuar që mësimi të vazhdojë nga shkolla me katër orë në ditë nga 20 minuta”, ka thënë Thaçi.

Mirëpo defekti me ngrohje sipas Task-Forcës për arsim në Malishevë, ka qenë më i hershëm. Selim Mazreku, drejtor i shkollës “Nuhi Mazreku” dhe i Task-Forcës për arsim në Malishevë, ka thënë për KOHËN se e kanë adresuar problemin në Drejtorinë e Arsimit rreth dy muaj më parë, para fillimit të procesit mësimor. Ai ka deklaruar se propozimi për vazhdim të mësimit në klasa ka qenë i tyre nën arsyetimin se moti akoma nuk është i ftohtë.

“Ne e kemi adresuar këtë problem para dy muajsh dhe kemi mbajtur mbledhje me Drejtorinë e Arsimit për këtë problem. Në diskutim me ta, kemi thënë që mësimi të mbahet nga shkolla pasi që një pjesë e nxënësve nuk kanë pajisje, si kompjuterë, për të mbajtur mësim online”, ka thënë Mazreku.

Lidhur me rregullimin e problemit të ngrohjes, drejtori i Arsimit në Malishevë ka thënë se nuk kanë datë të caktuar pasi që kjo duhet të kalojë përmes procesit të prokurimit mirëpo shton se ajo mund të rregullohet brenda javës së ardhshme.

Ani pse nxënësit e kësaj shkolle duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në klasa pa ngrohje, drejtori Thaçi ka thënë se në momentin kur të pranojnë ndonjë ankesë zyrtare nga prindërit, do të marrin vendim të kalojnë në proces online nga shtëpitë.