Fjalë Kyçe

Deklarata bombastike e Shefki Kuqit: Për të luajtur për Kombëtaren Shqiptare iu kërkuan para

Deklarata bombastike e Shefki Kuqit: Për të luajtur për Kombëtaren Shqiptare iu kërkuan para

Ylli kosovar i futbollit, Shefki Kuqi, që është shqiptari i parë i Kosovës që ka luajtur në Premierligë, ka folur ekskluzivisht për “Sportin në KTV”.

Aty e ka pranuar se nuk kishte pranuar që të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë, meqë i kishin kërkuar para.

“Thoshin nëse e do pasaportën, nëse do me luajt në kombëtare… unë s’kam qenë i interesuar për aso gjërash dhe zgjodha Finlandën”, ka thënë Kuqi.

Kuqi nuk ka komentuar më tej se kush i kërkoi para.

Tutje aty ka komentuar ndeshjet e kombëtares së Kosovës në futboll.

Ka thënë se lojtarët e Kosovës janë ndjerë nën presion.

“U futën pak edhe në atë emocionin e publikut”, ka thënë Kuqi.

Duke folur për ndeshjen kundër Bullgarisë, ai i ka dhënë notë pozitive futbollistëve të Kosovës.

“Ne po i harrojmë gjërat, por Bullgaria nuk është një kombëtare e sotit, është një kombëtare me traditë e cila ka marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare. Ajo që më bëri përshtypje ishte që Bullgari e kishte parë nivelin e Kosovës dhe kishte ardhur këtu për t’u mbrojtur dhe eventualisht për të shfrytëzuar rastin nga gjuajte të lira, si në rastin e golit”, ka thënë Kuqi.

“E ndjej vetën si pjesë e Kosovës edhe pse kam dal herët, mendoj se çka ka nevojë të ndihmojë unë jam këtu. Jemi një komb i vogël dhe sa më shumë i ndihmojmë njëri-tjetrit më të fortë bëhemi”, ka thënë ai.

Ka folur edhe për Milot Rashicën, edhe për faktin që të dy janë nga Vushtrria.

“Miloti për mendimin tim e ka gjet veten shumë mirë, e ka kuptuar se kush është dhe çfarë mund të bëjë në Werder Bremen”, ka thënë Kuqi.

Kuqi ka kaluar nëpër disa skuadra angleze. Fillimisht në Sheffield, më pas në Ipswich Town, e më pas në Blackburn, Crystal Palace e kah fundi i karrierës edhe në Newcastle United.

“Nëse fizikisht dhe mentalisht nuk je i përgatitur në futbollin anglez nuk mund të mbijetosh”, ka thënë Kuqi, derisa ka shtuar se më lehtë e ka pasur në Premierligë se sa Championship.

“Në Premierligë futbolli është në tjetër nivel, më teknik. Ndërsa ndeshjet në Championship janë më të forta fizikisht”, ka thënë Kuqi.

“Fakti pse unë kam ndërruar shumë skuadra është sepse unë nuk kam pranuar që të bëj stërvitje gjatë gjithë javës dhe në ditën e ndeshjes të ulem në publik, pa marrë parasysh pagës. Natyrisht nuk kam kërkuar siguri të plotë se do të luajë në çdo ndeshje, por nëse e kam lexuar nga trajneri se nuk jam në planet e tij ose për t’u angazhuar në ndeshje ose për të qenë në bankën rezervë, unë nuk kam qëndruar në atë ekip”, ka thënë Kuqi.

Kuqi është në rrugë për t’u bërë trajner i futbollit, derisa ka thënë se zeja e trajnerit është krejt ndryshe nga të qenit futbollist.

Për Kuqin është shkruar edhe një libër në Finlandë, që mban emrin “Demi i Kosovës”, e ku përshkruhet gjithë karriera e tij në futboll.