Fjalë Kyçe

Deklaratat e errëta të Putinit që çuan në luftë

Deklaratat e errëta të Putinit që çuan në luftë

Ishte një fjalim i errët dhe i mbushur me ankesa historike, teori konspirative dhe me trillime.

Dhe kur presidenti rus, Vladimir Putin, përfundoi fjalimin e tij njëorësh drejtuar kombit pak para mesnatës së 21 shkurtit, ai i dha fund çdo dyshimi se do të niste një sulm ndaj Ukrainës, duke nisur potencialisht luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Nga Kremlini, i veshur me kostum të zi që është i përshtatshëm për ndonjë funeral, në thelb, Putini i tha kombit të tij se Ukraina nuk kishte të drejtë të ekzistonte, shtrembëroi historinë duke thënë se ky shtet ishte krijuar në tokën historikisht ruse nga liderët sovjetikë të cilët me dëshpërim dëshironin të mbanin pushtetin.

Ai e akuzoi shtetin fqinj për rrënimin e monumenteve dedikuar atyre liderëve sovjetikë, dhe u tall me ukrainasit, teksa i cilësoi si “pasardhës mirënjohës” të Leninit. Më pas, ai përfshiu në fjalimin e tij një prej deklaratave më ogurzeza.

“Ju dëshironi de-komunizim? Shumë mirë, kjo na përshtatet ne. Por, pse të ndalemi në mes të rrugës? Ne jemi të gatshëm që t’iu tregojmë se çfarë do të thotë de-komunizimi për Ukrainën”, tha ai, duke sugjeruar se Rusia mund të merrte tokën që pretendoi se komunistët ua kishin dorëzuar “nacionalistëve” ukrainas.

Gjatë një adresim të ri, ku njoftoi për nisjen e pushtimit në orët e para të 24 shkurtit, Putin tha se Rusia nuk ka plane që ta pushtojë Ukrainën. Por, ai tha se Moska dëshironte “çmilitarizimin” e saj dhe la të kuptohet se Kremlini mund të jetë gati për ndryshimin e regjimit.

Në deklaratat shpërfillëse përgjatë viteve, Putini ka sugjeruar, pa dhënë dëshmi, se Ukraina – e cila, sikurse Rusia, u bë shtet i pavarur kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik më 1991 – nuk ka të drejtë që të ekzistojë si shtet pa pavarësinë e plotë nga Rusia. Ndërkaq, gjatë vitit të fundit, ai ka përdorur pretendime të rreme mbi veprimet e Ukrainës në rajonin e Donbasit –ku Kievi për pothuajse tetë vjet po lufton me separatistët e mbështetur nga Rusia – duke lënë të kuptohet se Moska do të justifikonte një aksion të mëtejmë ushtarak kundër Ukrainës.

Për shumë njerëz, që për javë të tëra kanë përcjellë me kujdes situatën, duke shpresuar se paralajmërimet e SHBA-së se një pushtim masiv mund të ndodhë në çdo kohë nuk do të dilnin të sakta, fjalimi i Putinit më 21 shkurt ua shoi të gjitha shpresat.

Sergiy Zhuk, një historian ukrainas në Universitetin Ball State në shtetin amerikan të Indianas, tha për Radion Evropa e Lirë se fjalimi i 23 shkurtit i Putinit ishte aq agresiv sa që ai priste që Rusia ta pushtonte Ukrainën shumë shpejt.

“Ai i tregoi të gjithë botës për nacionalizmin imperialist rus”, tha Zhuk.

Gjatë fjalimit, Putini përsëriti pretendimet e rreme se Kievi po kryente “gjenocid” në Donbas, dhe dukej se disa herë tentoi që ta shtrembëronte realitetin.

Me Rusinë që ka grumbulluar deri në 190,000 trupa në afërsi të kufijve të Ukrainës, Putin tha se ishte Kievi ai që po përgatitej të niste një operacion ushtarak, duke e bazuar këtë pretendim, pa prova, në doktrinën ushtarake ukrainase që është publikuar së fundmi, që fokusohet kryesisht në Moskë.

Putin nuk përmendi një sërë arsyesh të mundshme për atë fokus: faktin që në tetë vjetët e fundit, Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë, ka mbështetur separatistët në luftën në Donbas, ka kryer sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kritike ukrainase, ka financuar partitë opozitare dhe ka vendosur kufizime tregtare.

Ai pretendoi se “nacionalistët e kanë marrë pushtetin” në Kiev – dhe gjatë deklaratave të 24 shkurtit, ai deklaroi se Rusia tenton “de-nazifikimin” e Ukrainës – një përshkrim pa bazë për natyrën e Qeverisë ukrainase, që udhëhiqet nga një president që ka fituar zgjedhjet më 2019, zgjedhje të cilat janë cilësuar si të lira dhe fer nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Kritikët e Kremlinit, po ashtu, thanë se portretizimi që Putini i bën shtetin të Ukrainës si një shtet pa gjyqësor të pavarur, pa liri të shprehjes ose demokraci, po ashtu përshkruan shtetin autoritar që Putin ka ndërtuar në Rusi gjatë 22 vjetëve të fundit.

Putin ka bërë deklarata kundër identitetit ukrainas dhe shtetësisë, duke e përshkruar Ukrainën si “historikisht” ruse. Ai ka pretenduar se themeluesi sovjetik, Vladimir Lenin, e ka krijuar shtetin e Ukrainës duke “copëtuar” tokën ruse pa pyetur banorët që jetonin atje se “çfarë mendonin” për këtë gjë.

Pse Rusia e Putinit është kaq e fokusuar në Ukrainë?
“Kam shikuar shumë fjalime të Putinit dhe nuk mendoj se kam parë ndonjëherë ndonjë fjalim të tillë”, tha Sam Greene, drejtor i Institutit të Rusisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

“I gjithë ky fjalim është… hedhje e bazave për një pushtim të plotë të Ukrainës”, shkroi ai në Twitter më 21 shkurt.