Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare në Bundestagun gjerman, deputetja e Partisë Liberale Gjermane (FDP) Renata Alt, ka reaguar pas deklaratës së Aleksandar Vuçiq në lidhje me njohjen e Kosovës.
Reagimi i deputetes gjermane vjen pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në konferencën e sotme për shtyp, pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se sot për herë të parë ka dëgjuar se po kërkohet njohje reciproke me Kosovën, duke thënë se “këtë nuk e kemi dëgjuar nga Evropa deri më tani”.
“Ne sot dëgjuam se po kërkohet njohja reciproke. Ne kurrë më herët nuk kemi dëgjuar nga askush nga Evropa se po kërkohet njohja reciproke. Këtë e dëgjuam sot në konferencën për gazetarë në Prishtinë”, tha Vuçiq.
Lidhur me këtë ka reaguar deputeja e Bundestagut gjerman Renata Alt, përmes një postimi në Twitter, duke thënë se “Reagimi i Presidentit të Serbisë gjatë konferencës për media mbi kërkesën për njohje të Kosovës është skandaloz”.
“Negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Republikën e Serbisë duhet të ngrihen. Aleksandar Vuçiq na paska mashtruar për një kohë të gjatë”, ka shkruar Alt, transmeton Telegrafi.