Fjalë Kyçe

Deklarohet i pafajshëm personi që akuzohet se vodhi perde në një motel në Lipjan

Deklarohet i pafajshëm personi që akuzohet se vodhi perde në një motel në Lipjan

I akuzuari Shemsi Verbovci është deklaruar i pafajshëm se në gusht të 2019-ës vodhi perde në vlerë rreth 70 euro në motel.

Këtë deklarim, i akuzuari Verbovci e bëri gjatë shqyrtimit gjyqësor të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fatmire Cacaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e ndjej veten fajtor, nuk e pranoj fajësinë”, tha i akuzuari Verbovci.

Në mungesë të dëmtuarit dhe me qëllim të sigurimit të pranisë së tij në seancë, shqyrtimi i sotëm u shty, ndërsa seanca e radhës u caktua më 22 tetor 2021.

Gjykatësi Avdirrahman Gashi tha se dëshmitari Arlind Verbovci do të ftohet me thirrje të rregullt, ndërsa do të lëshohet urdhëresë për sjellje me shoqërim në seancë, për të dëmtuarin Liridon Daka.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në qershor të 2020-ës ngriti aktakuzë kundër Shemsi Vërbovcit, i cili ngarkohet se në gusht të vitit 2019 në rrugën Lipjan- Shtime, në motel “Sëiss”, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë ka vjedhur nga dhoma e motelit perdet, me çka i ka shkaktuar dëm material të dëmtuarit në vlerë rreth 70 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale “Vjedhja” neni 313, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet.