Fjalë Kyçe

Delegatët e viteve ’90-a do të paguhen rreth 3 mijë euro, Reçica jep detaje

Delegatët e viteve ’90-a do të paguhen rreth 3 mijë euro, Reçica jep detaje

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që 105 deputetët e legjislaturës së vitit 1990 të paguhen për kontributin e tyre, pra të kompensohen financiarisht.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Seknder Reçica, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social, ka treguar në detaje se si do të kompenson të gjithë këta delegatë, shkruan lajmi.net.

Reçica po ashtu ka treguar edhe detaje për ata delegatë të cilët nuk janë më në jetë se si do të mund të përfitojnë familjarët e tyre.

Postimi i plotë i Reçicës, pa ndërhyrje:

Të dashur qytetarë,

Po ndaj sot me ju një lajm shumë të mirë për 105 deputetët e legjislaturës së vitit 1990.

Sot para kabinetit qeveritar, paraqita propozimin për miratimin e vendimit për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.

Janë këta delegatë të cilët kanë marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës me datë 2 Korrik dhe 7 Shtator dhe kanë vazhduar mbajtjen e mbledhjeve deri më 24 Maj 1992.

Nga ky vendim 105 deputetë do të përfitojnë proporcionalisht shumën prej 2.733 euro. Për ata deputetë që nuk janë në jetë, kompensimin e plotë financiar të njëhershëm, do e gëzojnë bashkëshortja/e veja e deputetit apo fëmija deri në moshën 18 vjeçare, ndërsa nëse janë në studime deri në moshën 26 vjeçare.

Me këtë vendim të sotëm, qeveria e Kosovës, përmbushi edhe një obligim ndaj atyre që në kohë të vështira patën guximin intelektual e kombëtar që të jenë krah me popullin duke shpallur Kosovën Republikë dhe duke nxjerrur Kushtetutën e Kaçanikut, akte këto të cilat paraprinë zhvillime të mëdha në vitet e mëpasme në vendin tonë.