Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar Kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për qasjen e tyre ndaj mediave, në rastin e raportimit për mosnnënshkrimin e kontratës së MSH’së me kompaninë Pfizer. Po ashtu, Deliu ka kritikuar edhe Presidenten Vjosa Osmani, e cila nuk ka reaguar fare për këtë rast, raporton Express
Deliu ka përmendur faktin se Kosova ka rënë tetë pozita më poshtë, sipas raportit të Reporterëve pa Kufij.
“Kosova këtë vit ka rënë për tetë pozita më poshtë, se vitin e kaluar sipas raportit të Reporterëve pa kufij, sa i takon lirisë së mediave në botë. Sipas këtij raporti, Kosova tash bën pjesë në mesin e vendeve me situatë problematike të lirisë së shtypit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo tutje tha se Qeveria Kurti e ka për obligim t’u tregojë qytetarëve pse ka dështuar nënshkrimi i marrëveshjes me kompaninë Pfizer, për blerjen e vaksinave anti-Covid.
“Në mesin e krizës shëndetësore, kur qytetarët më shumë se kurrë kanë nevojë të informohen për sigurimin e vaksinës COVID-19, Qeveria Kurti është Qeveria e parë që ka nisur përndjekjen e medias dhe gazetarëve. Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Arben Vitia duhet të dalin para qytetarëve të Kosovës për t’u dhënë sqarime pse ka dështuar marrëveshja me kompaninë Pfizer sepse shteti është përgjegjës për sigurimin e vaksinës, e shteti nuk do duhej që t’i atakojë e t’ua drejtojë gishtin mediave”, ka thënë Deliu.
Deliu-Kodra tha se pushteti po e ushtron ndikimin në prokurori e polici, për të përndjekur gazetarët që guxojnë të raportojnë për dështimet e Qeverisë.
“Ndërhyrja flagrante e aparatit shtetëror në të drejtën e shprehjes së lirë, për arsyen e vetme se mediat kishin publikuar që flasin për brengën më të madhe të shoqërisë sonë, sigurimin e vaksinës, është njollë e zezë mbi demokracinë e Kosovës. Ministra, zëvendësministra, deputetë, ish-avokatë të popullit, me veprimet e tyre dëshmuan se do të luftojnë pa zgjedhur mjete, duke ushtruar ndikimin e tyre edhe në polici edhe në prokurori tek të gjithë ata gazetarë të cilët guxojnë të raportojnë për skandalet e njëpasnjëshme të kësaj Qeverie”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e PDK-së tha se Qeveria po i sulmon mediat, për të mos debatuar rreth paaftësisë për sigurimin e vaksinave.
“Në trajtimin e skandalit të vaksinave, për këtë Qeveri më lehtë ishte të suspendonte demokracinë duke i sulmuar direkt mediat, sesa të debatonte hapur për paaftësinë e saj për të siguruar vaksinat. Duke i paraqitur mediat si burim i gënjeshtrave, ky pushtet autoritar tentoi t’i disiplinojë ato dhe t’i paraqesë si armiq të pushtetit, për t’i arsyetuar veprimet e tyre dhe për të relativizuar ndërhyrjen e tyre flagrante në rendin e demokracisë, ky shembuj me shumë të tjerë të kërcënimit ndaj mediave, është një tjetër ilustrim i zymtë i faktit se ndërsa gazetarët kontribuojnë në luftën pandemisë, me raportimet e tyre, ata bëhen vetë viktima të sulmeve nga kjo Qeveri e cila tenton të përfitojë nga situata, për t’i mbytur zërat kritikë”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
“Gazetarët qe sa kohë kanë theksuar mungesën e përgjegjësisë publike të Kryeministrit për të marrë pjesë në konferenca për gazetarë dhe për të qenë në studiot e hapura televizive”, ka thënë ajo.
Deliu-Kodra ka kritikuar edhe Presidenten Vjosa Osmani e cila nuk ka reaguar fare për këtë rast.
“Heshtja e Presidentes së ashtuquajtur unifikuese, zonjës Osmani, përball një skandali të tillë, tregon mungesën e hapur të guximit politik, për të dënuar ndërhyrjen flagrante në lirinë e medias. Kosova nuk është shtet policor, andaj përndjekja e mediave, shoqërisë civile, opozitës, janë shenjat e para të kalimit nga një sistem demokratik në atë autoritar”, ka thënë Deliu-kodra.