Vendet e punës në sektorin publik, ashtu sikurse skemat pensionale dhe kontratat e prokurimit, sipas Agron Demit, janë shndërruar në mjet për pasurim të familjes, financim të partisë, ruajtje të anëtarësisë dhe “mjet për marrje ryshfeti”.
Në një intervistë për “Koha Ditore”, ai ka folur për nepotizmin në institucione, duke thënë se partitë politike janë bërë “agjenci të punësimit”, ku të rinjtë “në vend se të lajmërohen tek Qendrat e Punësimit marrin një librezë të partisë dhe futen në proces të shpejtë për të zënë një pozitë në sektorin publik”.
Demi, i cili është analist i politikave në Institutin GAP, ka ironizuar me thirrjet e udhëheqësve të partive politike që kanë qenë në pushtet për respektim të ligjit sa u përket punësimeve, duke thënë se derisa shkelja ua mundësoi kapjen e pozitave në shërbimin civil, respektimi i ligjit ua mundëson ruajtjen e tyre.
Gjatë intervistës, Demi ka përmendur faktin se si Ambasada e Britanisë ka shpenzuar miliona euro për të ndihmuar në rekrutimin e njerëzve meritorë në pozita udhëheqëse, por që ajo është keqshfrytëzuar nga institucionet kosovare. Ka thënë se në shumë raste Qeveria dhe Kuvendi, në disa raste, kanë legjitimuar punësimet familjare e partiake, duke deklaruar se procesi ka qenë i mbikëqyrur nga Ambasada, edhe pse kjo e fundit në disa raste nuk ka qenë e pajtimit me përzgjedhjen.
KD: Pas shpalljes së Pavarësisë ishte krijuar një Fond special buxhetor për të tërhequr ekspert të fushave deficitare për të punuar për institucione publike. A e keni vëzhguar dhe si e vlerësoni gjithë procesin?
Demi: Në dhjetor 2008, me rekomandim të Institutit GAP, Qeveria aprovoi Fondin për Kuadro, qëllimi i të cilit ishte tërheqja dhe mbajtja e ekspertëve në pozita kyç deficitare në shërbimin civil, të cilët vetëm po largoheshin nga sektori publik për shkak të pagave të ulëta. Fondi arriti deri në një milion euro dhe kishte 222 përfitues. Por, që nga fillimi Qeveria nuk e zbatoi Fondin ashtu siç ishte ideuar. Përfitues nga Fondi ishin njerëz të emëruar politikë, familjarë të politikanëve, ‘kuadro’ me edukim bazik dhe që nuk posedonin njohuri të ndonjë gjuhe të huaj.