Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt, organizata Demokraci Plus publikoi raportin lidhur me organizimin e këtyre zgjedhjeve në kohë pandemie, duke sjell praktikat nga vende të ndryshme të botës si: Maqedonia Veriore, Serbia, Franca dhe Korea e Jugut, të cilat kanë mbajtur zgjedhje gjatë pandemisë COVID-19.
D+ ka shkruar se reduktimi i numrit të komisionerëve dhe vëzhguesve, si dhe zgjatja e orarit të votimit nga 07:00 deri 21:00, do ishte ideale për të shpërndarë votuesit në një interval më të gjatë kohor.
Ndërkaq, sipas kësaj organizate, personat mbi 65 vjeç duhet të votojnë në orët e paradites, si dhe të shtohet numri i qendrave të votimit dhe vendvotimeve me qëllim që të zvogëlohet mundësia e përhapjes së virusit. Vendosja e dezinfektuesve nëpër çdo vendvotim dhe dezinfektimi i objekteve çdo tri orë, janë të domosdoshme për të ruajtur shëndetin e qytetarëve, sipas D+.
“Për Qeverinë D+ rekomandon që për të shmangur grumbullimin e personave pas përfundimit të procesit të votimit, të vendoset ora policore në tërë vendin duke filluar nga ora 21:30. Kurse për votuesit: mbajtja e maskave gjatë procesit zgjedhor, votuesit duhet të marrin stilolapsin me vete nga shtëpia dhe të respektojnë distancën prej 1.5 metra në pritje për votime”, thuhet ndër të tjera në rekomandimet e organizatës me seli në Prishtinë për institucionet publike, veçanërisht KQZ-së.