Përpjekja e re për t’i nisur procedurat për shkarkimin e presidentit Donald Trump pasi një bandë mbështetësish sulmuan Kongresin, ka bërë që liderja e shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, të dilte me një deklaratë të frikshme.
Ajo i bëri thirrje lidershipit të Ushtrisë amerikane që të merrte masat e nevojshme për ta parandaluar përpjekjen eventuale të komandantit suprem amerikan për të urdhëruar ndonjë sulm bërthamor. I pyetur nga “Stratcom” nëse do të zbatonte urdhrin eventual të presidentit, admirali Charles Richard ka thënë se “do të zbatonte çfarëdo urdhri legal që i jepet”.
Këshilltarët ushtarakë të presidentit gjatë gjithë kohës e bartin valixhen me kodet e lansimit të sulmit bërthamor. Kjo ia mundëson presidentit që shpejt të urdhërojë sulm atomik, i verifikuar nga një kartë identifikimi që mbahet nga Shtëpia e Bardhë që konfirmon para zyrtarëve të Pentagonit se sulmi është legjitim.
Presidentit mund t’i mjaftojnë edhe tetë minuta për të vendosur nëse dëshiron të sulmojë, megjithëse planet për sulm atomik që shtrohen nga Pentagoni i japin komandantit suprem kapacitetin për të aprovuar një sulm të shtyrë ose një kundërsulm. Raketat bërthamore me bazë tokësore mund të shkrepen brenda dy minutash pas urdhrit të menjëhershëm nga presidenti amerikan, derisa raketat nëndetare mund të shkrepen brenda pesëmbëdhjetë minutash.