Fjalë Kyçe

Demokratët të vendosur për shkarkimin e presidentit

Demokratët të vendosur për shkarkimin e presidentit

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve janë një hap larg miratimit të procedurave përfundimtare për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Pas debatesh të gjata dhe polemikash të ndara në vija partiake, Komisioni Juridik miratoi të premten ngritjen e akuzave zyrtare ku pretendohet se zoti Trump abuzoi me pushtetin dhe pengoi Kongresin për ta hetuar atë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson shtjellon situatën para votës përfundimtare në Dhomën e Përfaqësuesve.

Donald Trump pritet të bëhet presidenti i tretë amerikan ndaj të cilit janë hapur procedura për shkarkim. Presidenti e ka kritikuar procesin.

“Përdorimi i pushtetit për shkarkimin është turp për këtë vend”, tha ai.

Shumica demokrate e ka të sigurtë votën përfundimtare për dy akuza për shkarkimin e presidentit, çfarë do të pasojë me një gjykim në Senatin amerikan në fillim të vitit që vjen.

Para hapit përfundimtar të votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësit demokratë argumentuan se Presidenti Trump duhet larguar nga detyra pasi përdori ndihmën për Ukraninën për interesat e tij personale politike. Demokrati Jerrold Nadler është Kryetar i Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Cili është rreziku nëse nuk veprojmë? Gjatë 94 ditëve që nga fillimi i hetimeve nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe realisht gjatë tre viteve të shkuara, një e vërtetë e padiskutueshme ka dalë: nëse nuk reagojmë ndaj abuzimit të pushtetit nga Presidenti Trump, abuzimi do të vazhdojë. Nuk mund të mbështetemi tek zgjedhjet për të zgjidhur problemin tonë kur Presidenti Trump kërcënon vetë integritetin e zgjedhjeve”, tha ai.

Nga ana tjetër, republikanët argumentojnë se telefonata e presidentit me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy ishte përpjekje për të trajtuar korrupsionin në Ukraninë dhe jo për avantazhe politike në Amerikë. Ata këmbëngulin se demokratët gjatë gjithë kohës kishin në mendje shkarkimin e zotit Trump. Debbie Lesko është ligjvënëse republikane.

“Ata paracaktuan se do ta bënin dhe e bënë pavarësisht çdo gjëje. Ata nuk kishin asnjë provë, asnjë fakt por gjithsesi vepruan në të tyren. Ata po e coptojnë këtë vend”, tha ajo.

Historikisht proceset për shkarkimin e presidentit e kanë përçarë vendin. Ndërsa pothuajse gjysma e vendit mbështet procesin ndaj zotit Trump, demokratët argumentojnë se opinioni publik është në anën e tyre. Nancy Pelosi është kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Publiku mendon se ata duhet të vendosin se kush është president i Shteteve të Bashkuara dhe jo ndonjë fuqi e huaj. Ata mendojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe ne mendojmë kështu. Presidenti duhet të mbahet përgjegjës për abuzim pushteti dhe pengim të Kongresit”, tha ajo.

Edhe pse gjyqi në Senatin e kontrolluar nga republikanët pritet ta shfajësojë zotin Trump, duke e mbajtur atë në detyrë, republikanët thonë se procesi i shkarkimit do të ketë pasoja mbarëbotërore për diplomacinë amerikane. Kevin McCarthy është udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Presidentit iu desh të publikonte për mbarë botën përmbajtjen e telefonatës. Kjo e ka dobësuar zyrën e presidentit, për këdo që vjen më pas. Cili udhëheqës botëror do të ndajë me presidentin amerikan qëndrime të vërteta dhe mirëkuptim dhe të mos frikësohet se biseda e tyre telefonike do të publikohet për tërë botën?”, tha ai.

Ligjvënësit po i afrohen me shpejtësi një momenti të rrallë në historinë politike të Shteteve të Bashkuara.