Të gjithë presin golat e Gonzalo Higuainit, por e vërteta është se lideri i Milanit është Suso.
Edhe një herë tjetër, mungesa e spanjollit u ndie në fushën e lojës, sepse kundër Frozinones “Djalli” iu fali pjesën e parë rivalëve, ndërsa në të dytën prodhoi, por nuk arriti të gjejë golin, ndonëse pa bindur absolutisht.
Gjithsesi, ai që priste se ish-liverpulasi mund të kthehej për ndeshjen e radhës me SPAL-in, për të frymëzuar lojën dhe golat e Higuainit e Cutrones, ndoshta duhet të presë edhe më gjatë për të parë këtë gjë.
E përditshmja “Repubblica” theksonte se diagnoza, e cila nënvizonte përpara Frozinones se për Suson ishte thjesht një ënjtje në pulpë, në të vërtetë fsheh prapa edhe një pubalgji, ose edhe një tërheqje në muskujt e brendshëm të kofshës, të cilët mund të bëjnë që ai të qëndrojë jashtë fushave të lojës, pse jo edhe për 2-3 javë.
E thënë shkurt, Milani jo vetëm që nuk do ta ketë numrin 8 në dispozicion për ndeshjen e nesërme në stadiumin “San Siro” kundër SPAL-it, por mbi të gjitha, lideri i mesfushës së Genaro Gattusos mund të rrezikojë edhe duelin e 16 janarit, finalen e Superkupës së Italisë, përballë Juventusit. Ky sigurisht që është një problem shumë i madh për trajnerin dhe skuadrën kuqezi.
Deri më sot, Kastijeho, bashkatdhetari i Susos, i cili është përpjekur ta zëvendësojë, nuk është ngjitur asnjëherë në rangun e numrit 8, madje as që mund të mendohet se mund të bëjë detyrat dhe lojën e Susos, pasi ai është më shumë një driblues e finalizues, sesa një organizator, një lojtar që di të shpërndajë lojë, të ofrojë asiste apo edhe të finalizojë.
Prandaj, edhe për ndeshjen me SPAL-in, Gatuso do të jetë i detyruar të eksperimentojë, ndonëse me gjithë problemet që ka në infermieri, formacionin e ka pak a shumë të kushtëzuar dhe është e vështirë që të tentojë edhe të shpikë diçka ndryshe.