Fjalë Kyçe

Dënohen dy mjekë për shkelje etike, kryen intervenime tek një pacient pa pasur nevojë

Dënohen dy mjekë për shkelje etike, kryen intervenime tek një pacient pa pasur nevojë

Dy stenta dhe një elektrostimulues permanent në zemër i janë vendosur tre vjet më parë një pacienti nga dy mjekë të Spitalit Amerikan, kjo ka bërë që mjekët të cilët kishin kryer këtë intervenim të dënohen për shkelje të rëndë etike nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Me nga 6 mijë euro gjobë janë dënuar dy kardiologët Sasho Josimovski dhe Lulzim Brovina pasi Këshilli Etik i Odës ka vërtetuar se ata kanë vlerësuar në mënyrë jo të drejtë gjendjen e pacientit SH.SH.

“Besojmë se në trajtimin e SH.SH. janë thyer këto parime, prandaj për hir të pacientëve në të ardhmen, etikës dhe profesionit ndihemi të obliguar që të denoncojmë shkeljen e supozuar të vendosjes së elektrostimuluesit permanent në zemër pa kritere të qarta, të angiografisë koronare kontrolluese të panevojshme, si dhe vendosjes së dy stentave koronare të panevojshme”, thuhet nga Konsoliumi mjekësor i Klinikës së Kardiologjisë Invazive

Por avokati i pacientit SH.SH., Nasuf Hasani, ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi të Odës së Mjekëve, derisa thotë se ata si palë e dëmtuar që nga viti 2019 kanë dërguar edhe padi për kompensim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ndërsa Oda e Mjekëve të Kosovës përmes një përgjigjeje me shkrim ka konfirmuar se Josimovski e Brovina janë përgjegjës për shkelje etike të rëndë, përkatësisht “Vlerësim jo i drejtë i gjendjes së të sëmurit” dhe “Shkelje e procedurave diagnostikuese dhe mjekuese”.

Derisa kjo Odë ka thënë se këtë rast nuk e ka dërguar në organet e drejtësisë pasi që nuk kanë parë elemente të veprës penale.

‘Këshilli Etik i OMK-së nuk do të dërgojë kallëzim penal në organe të ndjekjes penale, pasi pas vlerësimit të rrethanave të çështjes dhe gjendjes stabile të pacientit, mjekëve për shkeljet etike të konstatuara u janë shqiptuar masat disiplinore sipas legjislacionit në fuqi. Për këtë, në rastin konkret organet kompetente të Odës nuk e kanë identifikuar ndonjë element të kryerjes së ndonjë vepre penale nga mjekët e lartcekur, përndryshe rastin do ta kishte referuar në Prokurorinë kompetente”, thuhet nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

KOHA ka kontaktuar me avokatin e kardiologut Sasho Josimovski, Mustafë Kastrati, i cili nuk ka pranuar të flasë për rastin, derisa ka thënë se ata do të dërgojnë ankesë ndaj këtij vendimi të Odës.

E me gjithë premtimin se për këtë çështje do të flasë mjeku Lulzim Brovina, ai këtë të mërkurë nuk e ka hapur telefonin.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga Spitali Amerikan lidhur me këtë gjobë të shqiptuar ndaj dy mjekëve të këtij spitali, por as ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa lidhur me padinë për kompensim të dëmit prej rreth 10 mijë eurosh të dërguara nga pala e dëmtuar në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prishtinës përmes një përgjigjeje me shkrim ka konfirmuar se Departamenti për lëndë civile aktualisht është duke shqyrtuar lëndë të kësaj natyre të vitit 2016.

“Duke iu referuar kërkesës suaj, ju informojmë se lidhur me lëndën gjyqtarja e çështjes ia ka dërguar të paditurit aktvendimin për përgjigje në padi dhe e paditura më datë 18.9.2020 ka dhënë përgjigje në padi. Nga zyra e gjyqtares së çështjes jemi informuar se aktualisht është duke i proceduar lëndët e vitit 2016 të kësaj natyre, mirëpo sapo të krijohen kushtet për mbajtjen e kësaj seance do të shikojë mundësinë për caktimin e saj”, thuhet nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Megjithatë gjyqtarja e rastit, sipas Gjykatës Themelore, sapo të krijohen kushtet do të caktojë një seancë për këtë rast.