Nga monitorimet e bëra të Institutit të Kosovës për Drejtësi, është vërtetuar se një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë edhe deputetët, kanë proceduara të hapura gjyqësore.
Janë më shumë se 20 deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë lëndë të hapura në prokurori dhe gjykata për vepra të ndryshme penale.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftraj, thotë se numri i më i madh i deputetëve që janë duke u hetuar kanë kryer vepra të ndryshme penale, duke përfshirë edhe ato të korrupsionit.
“Në bazë të data-bazës që disponon Instituti i Kosovës për Drejtësi, aktualisht janë 21 deputetë aktualë që ushtojnë funksionin e deputetit dhe që kanë probleme me ligjin. Nga ta, ka vepra penale të ndryshme ku përfshihen prej veprave penale korruptive, veprave penale që kanë të bëjnë me armëmbajtje pa leje, rrezikim të përgjithshme, por edhe vepra penale që ndërlidhen me vepra penale politike që janë kryer nga partitë në opozitë në legjislaturën e kaluar, ku njihen si vepra penale të hedhjes së gazit lotsjellës”, tha Miftaraj.
Miftaraj tha se thirrjet e shoqërisë civile nuk janë marrë për bazë asnjëherë deri mëe tash në drejtim të dekriminalizimit të skenës politike nga ata njerëz që kanë probleme me ligjin. Ai thotë se është koha e fundit që skena politike në Kosovës të pastrohet nga politikanët që kanë probleme me ligjin.
“Kosova është ndër vendet e rralla në rajon dhe Evropë, ku 20 për qind e deputetëve që e ushtrojnë funksionin, kanë probleme me ligjin. Në këtë drejtim, vet fakti që kemi numër të madh të deputetëve që dyshohet se kanë shkelur ligjin, cenon rëndë integritetin e atij institucioni dhe besimin e qytetarëve se të njëjtin përfaqësojnë më të vërtetë interesat e popullit, do të thotë përfaqësojnë interesat e sovranit, për çka edhe janë zgjidhur”, thotë Miftaraj.
Miftaraj thotë se është e pakuptimtë dhe irrituese sesi në të njëjtën ditë, një deputet apo ministër akuzohen nga prokuroria dhe në të njëjtën ditë të njëjtit ushtrojnë funksionet e tyre.
“Sigurisht që ky është një mesazh i keq edhe për miqtë ndërkombëtarë, të cilët në një farë mënyre kërkojnë që të kemi llogaridhënie dhe të kemi institucione me integritet të pakontestuar”, tha Miftaraj.
Zyrtarët e lartë nga Prokuroria Speciale e Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se janë duke u zhvilluar disa hetime për deputetët e legjislaturës aktuale të Kuvendi të Kosovës, lidhur me shkeljet që kanë bërë.
Prokurori Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me mediat nga Prokuroria Speciale e Kosovës, nuk ka përmendur numrin e deputetëve që janë duke u hetuar, por për Radion Evropa e Lirë tha se për disa raste, hetimet janë duke vazhduar.
“Përveç personaliteteve të tjera, pranë prokurorisë zhvillohen hetime e proceduara penale edhe ndaj një numri të konsiderueshme të deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Përveç rasteve për armëmbajtje, kemi raste për keqpërdorim e mashtrime, e lloje të tjera të veprave penale”, tha Hoxha.
Në dy-tre vjetët e fundit në Kosovës, ka pasur rastet kur zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës janë përballur me procese gjyqësore. Numri më i madh i rasteve ka përfunduar me dënime me kusht apo edhe me aktgjykim lirues.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Bahri Hyseni tha për Radion Evropa e Lirë se me ndryshimet e reja, të cilat janë duke u bërë në Kodin e Procedurës Penale dhe të Kodin Penal, do të parashihen edhe situata e tilla, kur njerëzit të cilët kanë aktakuza, pavarësisht pozitës që kanë në institucionin e caktuara, të suspendohen.
“Tash për tash duhet të jemi të vetëdijshëm se ngritja e një aktakuze nuk do të thotë menjëherë se flet për fajësinë e dikujt, duke marr parasysh se ka parime kushtetues dhe është edhe një parim i Kodit të
Procedurës Penale që prezumimi i pafajësisë të respektohet”, tha Hyseni.
Hyseni tha se në sistemin e drejtësisë në Kosovës ka rregullore të tilla, të cilat edhe zbatohen, kur në momentin që nisin hetime për një zyrtar, prokuroria njofton institucionin përkatës, dhe siç thotë ai, i mbetet vet udhëheqësit të atij institucione që të marrë veprime përkatëse për suspendim apo jo.
Kosova vazhdimisht është kritikuar për mosluftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, përkatësisht ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në vepra penale.