Deputeti gjerman, Knut Abraham, i është kundërpërgjigjur emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, që të premten u shpreh se Kosova i ka edhe dy kritere pa përmbushur në rrugën për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Në përgjigje, Abraham që është pjesë e delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka thënë se për anëtarësimin e Kosovës ky institucion vendos si i pavarur, teksa ka shtuar se SHBA-ja s’do të pranohej për shkak të dënimit me vdekje.
“I vlerësojmë shqetësimet e Escobarit, por mund ta sigurojmë se Asambleja Parlamentare në mënyrë të pavarur do t’i përcaktojë kriteret e anëtarësimit për Kosovën në Këshill të Evropës dhe do ta vlerësojë përmbushjen e tyre. SHBA-ja nuk do t’i plotësonte këto kritere për shkak të dënimit me vdekje”, ka shkruar ai në Twitter.
Të mërkurën, Qeveria e Kosovës urdhëroi që Agjencia Kadastrale ta ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që 24 hektarë tokë t’i barten Manastirit të Deçanit. Kryeministri Albin Kurti qe shprehur se ky ishte kushti për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Vendimi i Qeverisë u mirëprit nga aleatët, ndërsa Escobari në një intervistë për Radion Evropa e Lirë u shpreh se janë edhe dy kushte të tjera, një për shpronësimet në veri dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.