Fjalë Kyçe

Deputeti i VV- së thotë se është shtyrë intervista për gradën “Toger” në Policinë e Kosovës – ka dyshime për parregullësi

Deputeti i VV- së thotë se është shtyrë intervista për gradën “Toger” në Policinë e Kosovës – ka dyshime për parregullësi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka njoftuar se është shtyrë intervista për gradën “Toger” në Policinë e Kosovës, e paraparë të mbahej sot.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se me siguri kjo lidhet me lëshimet që janë bërë, derisa ka bërë thirrje që të zbulohet e vërteta rreth këtij procesi të gradimit.

Në policinë e Kosovës, në fillim muajit shkurt është mbajtur testi për gradën togerë.

Siç është njoftuar nga vetë Bajqinovci ditë më herët, mbi 700 zyrtarë të gradave më të ulëta që i plotësonin kriteret formale, i ishin nënshtruar testimit.

“Megjithatë, testi ishte shpërndarë paraprakisht gjithmonë flas sipas mediave me qëllim që të kurdisej rezultati i atij testimi që gjithë procesin e kthen në një farsë sikurse çdo kund tjetër në institucione që është vepruar me konkurset. Ka kohë, afër 10 vite, kur Policia është futur nën kthetrat e kontrollit politik dhe parapolitik të PDK-së. Me gjithë bazat e mira që ishin vendosur në fillimet e saj, përfshirë edhe rezultatet, në Policinë tonë, këto 10 vite janë zhbërë rregullat e procedurat e gradimeve e avancimeve mbi baze meritore e profesionale për t’u zëvendësuar me kritere politike, parapolitike e nepotike”, kishte shkruar ai.

Sipas tij, si rezultat i këtij 10 vjeçari, shumë profesionistë meritor janë dekurajuar, defaktorizuar e parandaluar për t’u avancuar sipas kapacitetit të tyre profesional e moral.

“Mbi të gjitha, shteti dhe qytetarët janë privuar nga mundësia për të pasur një polici akoma më të përgatitur, më profesionale e më efikase në luftimin e të gjitha llojeve të krimit, garantimin e sigurisë, rendit dhe qetësisë për qytetarët. Qeveria duhet të analizojë mirë gjendjen aktuale në polici dhe të marrë vendimet e duhura. Në polici s’kanë vend shkelësit e ligjeve dhe procedurave apo njerëz që e pengojnë meritokracinë. Ky proces i gradimit duhet të stopohet pas publikimit në media për shpërndarjen e testit dhe duhet të merren masa ndaj përgjegjësve”, kishte thënë Bajqinovci.