Fjalë Kyçe

Derbi Liverpool-United, një rivalitet i përjetshëm

Derbi Liverpool-United, një rivalitet i përjetshëm

Një rivalitet i përjetshëm, i cili nuk do të ketë kurrë fund. Ndeshja më e rëndësishme e futbollit anglez, është padyshim ajo midis Liverpool dhe Manchester United.

Dy klubet më të mëdha të Premier League, dhe njëkohësisht dy prej më të mëdhave në Europë, kanë ditur të dhurojnë gjithmonë një futboll të bukur, të mbushur me spektakël dhe emocione.

Megjithatë, të dyja vijnë me synime krejtësisht të ndryshme këtë sezon. “Reds” nuk kanë pësuar ende asnjë humbje, dhe kërkojnë që të fitojnë titullin pas 28 vitesh mungesë. Ndërkohë, për ekipin e Mourinhos, suksesi do të ngrinte lart anën morale të skuadrës, por dhe për tu afruar sado pak me zonën Champions.

Duhet thënë se i vetmi ekip që ka arritur të dalë me pikë nga “Anfield” gjatë këtij kampionati deri më tani, ka qenë Manchester City. Por, Mourinho ka ditur gjithmonë ta vërë në vështirësi kolegun e tij Klopp, ku 2 fitore kanë shkuar për portugezin, 3 për ish-tranjerin e Borussia Dortmund, dhe 4 takime kanë përfunduar në barazim.

Mohamed Salah pritet të udhëheqë Liverpool në këtë ndeshje, pasi duket më në fund ka gjetur formën e sezonit të shkuar, e aktualisht gjendet në kuotën e 10 golave në kampionat. Tek United, në sfidat e fundit lojtari kyç ka qenë Marcus Rashford, i cili ka realizuar 2 gola në 2 takimet e fundit, si dhe shënoi një dygolësh në përballjen e fundit mes dy klubeve në mars, duke i dhënë fitoren “Djajve të Kuq”, transmeton SS.

Kjo është ndeshja e një jete të tërë, “Derby i North West”, ku armiqësia dhe dëshira për fitore, kanë qenë gjithmonë në nivele të tejskajshme. Mbetet për tu parë se kush do të dali me kokën lart, nga sfida e 201 në histori, mes Liverpool dhe Manchester United.