Fjalë Kyçe

Deri më 31 gusht, në Prishtinë hiqet kushti që për të regjistruar veturën të paguhet tatimi në pronë

Deri më 31 gusht, në Prishtinë hiqet kushti që për të regjistruar veturën të paguhet tatimi në pronë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se është suspenduar kushtëzimi i pagesës së tatimit në pronë për të paguar taksën e rrugës për regjistrimin e veturave në kryeqytet.

Ai ka thënë se ky kushtëzim vjen për shkak të radhëve të gjata që po bëhen para komunës për pagesa.

Në një njoftim në Facebook, Ahmeti ka dhënë shpjegime për procesin:

1. Kur e regjistroni veturën e juaj, ju paguani taksat rrugore në nivelin qendror dhe në Komunën ku e regjistroni veturën. Taksa rrugore në Komunën e Prishtinës është 10 euro.

2. Për ta paguar taksën rrugore, prej vitit 2011 dhe bazuar në udhëzimin administrativ të Tatimit në Pronë, ju duhet ta paguani tatimin në pronë, që të keni mundësinë ta paguani taksën rrugore. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë mënyra më efikase për ta mbledhur tatimin në pronë e që është pjesë e rëndësishme për komunën tonë (gati 10 milion euro në vit)

3. Për shkak të pandemisë, ky kushtëzim po shkakton tollovi dhe radhë të gjata para komunës dhe ankesa të qytetarëve. Mundësia e pagesës online e tatimit në pronë ekziston qe një kohë, por qytetarët nuk po e përdorin.

4. Për t’i shmangur radhët dhe për ta larguar pritjen dhe deri në thjeshtësimin e mëtutjeshëm të pagesave për këtë kushtëzim po e suspendojmë këtë kushtëzim deri më datën 31 gusht kur do ta vlerësojmë prapë. Këtë duhet ta bëjmë çdo muaj për t’u siguruar që nuk po dëmtohet buxheti shumë.

5. Përkundër heqjes së kushtëzimit, tatimi në pronë mbetet si obligim që qytetarët me prona e kanë. Pra, këtë duhet ta paguani sipas ligjeve në fuqi dhe nuk hiqet. Njëjtë as taksa rrugore nuk hiqet, por që tani është më e thjeshtë dhe po shpresojmë se të njejtën shumë shpejtë mund ta paguani në të gjitha institucionet e licencuara për pagesa.