Fjalë Kyçe

Deri në fund të vitit pritet të dalin katër vaksina kundër koronavirusit

Deri në fund të vitit pritet të dalin katër vaksina kundër koronavirusit

Menaxherja e Programit të Fondit Global për Kosovë, në kuadër të CDF-së, Edona Dobroshi-Deva, në emisionin Desku në KTV ka thënë se deri në fund të vitit pritet të jenë të gatshme katër vaksina efektive kundër koronavirusit. Megjithatë, sipas saj do të ketë mjaft probleme logjistike deri te vaksinimi.

“Vaksina është shpresë po duhet ta kemi parasysh që vaksina nuk shpëton jetë, por vaksinimi shpëton jetë. Edhe vaksinimi është një proces në të cilin ka shumë sfida të logjistikës, do të thotë prej momentit kur vaksina porositet deri në momentin e injektimit është një zinxhir i cili duhet të respektohet”, ka thënë ajo.

Sipas saj deri në fund të vitit pritet të jenë katër vaksina të gatshme. “Vaksinat të cilat kanë dalë, janë zbuluar në fakt, këto dyja janë dy prej vaksinave prej katër vaksinave që deri në fund të vitit do të shpallen si të gatshme për përdorim sepse në pritje është edhe vaksina e Oxfordit edhe ajo e Johnson & Johnson”, ka thënë Dobroshi-Deva. “Në përgjithësi ka pasur 160 kandidatë vaksina, prej të cilave 44 kanë kaluar procesin përfundimtar të hulumtimit në njerëz, fazën e tretë. Kjo e Pfizerit ishte e para dhe e Modernes dje ishte lajm i jashtëzakonshëm. Në përgjithësi të katërtat që do të dalin deri në fund të vitit e kanë një metodologji të përpunimit. Nuk është se është bërë zbulim nga njëri sepse janë të ngjashme”.

Dobroshi-Deva ka deklaruar se është e jashtëzakonshme që vaksinat e Pfizerit dhe Modernes kanë efikasitet aq të lartë. “Cila do të jetë më efikase ajo është çështje tjetër, por sidoqoftë, të jetë efektive një vaksinë në 90 për qind është e jashtëzakonshme. E 95 dje është edhe më e jashtëzakonshme, sidomos kur kjo vaksinë kushtet e ruajtjes i ka shumë më të favorshme se ajo e para”, ka thënë ajo.