Fjalë Kyçe

Dëshmitaren në Speciale e pyesin se “a ka marrë pjesë në keqtrajtime”, kështu përgjigjet ajo

Dëshmitaren në Speciale e pyesin se “a ka marrë pjesë në keqtrajtime”, kështu përgjigjet ajo

Prokurori Cezary Michalczuk e ka pyetur dëshmitaren e mbrojtjes së Salih Mustafes, Ibadete Canolli – Kaçiun se a ka marrë pjesë në keqtrajtim të ndonjë personi civil në Zllash, çka kjo e fundit e ka mohuar.

“Një nga dëshmitarët që është edhe viktimë, tha se disa nga gratë që kanë qenë anëtare të UÇK-së kanë marr pjesë në trajtimin e tij mizor, brutal në Zllash, a dini gjë për këtë. A ishit ju vet e përfshirë në keqtrajtim të ndonjë personi civil gjatë luftës”, pyeti prokurori atë.

“Jo, e kam dhënë një betim që kam me u ndihmu njerëzve, keqtrajtimi është ndëshkim ndaj punëtorit shëndetësor”, tha ajo, më pas u vazhdua me përmbajtje të redaktuar.

Fillimisht, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Cezary Michalczuk, dëshmitarja Canolli – Kaçiu konfirmoi se ka qenë anëtare e gueriles së Prishtinës, e njohur si “BIA”, ku si anëtare e këtij njësiti figuron në lista të ushtrisë që nga 13 marsi i vitit 1998, kur kishte filluar kontributin e saj pranë doktoreshës Flora Brovina, raporton BetimipërDrejtësi.

Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 1998 dhe fillimit të vitit 1999 ka kontribuar në Prishtinë, ku kjo guerrilë ka qenë në kuadër të këtij qyteti. Kurse, tha se fjalën paraprakisht e kishte për listën e përgjithshme të UÇK-së.

Kurse, konfirmoi se po flet për listën e organizatës së veteranëve, si dhe konfirmoi se ka statusin e veteranes së UÇK-së.

Prokurori i tha se pyetja ishte se nga cila kohë ishte anëtare e njësitit BIA, e ajo tha se nuk ka listë defitinive, por se është nga janari i vitit 1999, kur kanë filluar kontributin dhe organizimet me Salih Mustafën.

Në njësitin BIA tha se nuk ka pasur pozitë definitive, por ka pasur përgjegjësi për shëndetësi dhe mirëqenie të ushtarëve, popullsisë civile, të plagosurve dhe gjithçka që i takon shëndetësisë.

Sipas saj, pas përfundimit të luftës, më nuk ka vazhduar me angazhimin e saj dhe ka vazhduar jetën e saj private.

Ajo u pyet se a kishte përgatitje mjekësore kur punonte në ordinancën e Brovinës, ajo tha se gjatë shkollës së mesme ka punuar në atë ordinancë e edhe pas përfundimit të shkollës së mesme ka vazhduar punën në atë ordinancë.

Kjo dëshmitare tha se mendon se Brovina ka qenë doktoreshë e UÇK-së, kurse e pyetur se a ishte e BIA-së, u përgjigj duke thënë se ka qenë doktoreshë pa dallim nga njësitë apo brigadat e ushtrisë.

Dëshmitarja tha se gjatë ofensivës së prillit, Brovina është arrestuar në banesën e saj në Bregun e Diellit.

Pas arrestimit të Brovinës, ajo tha se detyrimisht përgjegjësinë sa i përket aspektit mjekësor e mori vet ajo.

“Nga dita që kam shku në guerrila, shumë përgjegjësi kam marrë, ndërkaq pas arrestimit të Florës shumë gjëra e kam dit që duhet me i bo vet”, tha Canolli – Kaçiu.

Prokurri Cezary Michalczuk, paraqiti një artikull të faqes së internetit www.histori.com , që titullohej “Gratë e UÇK-së, historitë e parrëfyera”.

Ai e pyeti dëshmitaren a e kanë intervistuar për këtë artikull,ajo tha se është intervistuar, por është e gazetarëve amateresk që e kanë përpunuar. Sipas saj, ajo i ka marrë disa përgjegjësi, por jo të detyrueshme.

“Digjitura e fotografisë thotë, pjesë e këtij njësiti ishte edhe Ibadate Canolli Kaçiu që kishte filluar si stazhiere e infermierisë te Flora Brovina duke ndihmuar në zonat e prekura nga lufta, pas arrestimit të Flora Brovinës ibadetja do të bëhej përgjegjëse për shëndetësi në njësitin BIA”, citoi prokurori.

Ai e pyeti a ishte ajo përgjegjëse kryesore pas Brovinës për aspektin shëndetësor të njësitit BIA.

“Mendoj se po, po nuk ka pas shumë ofensiva pas arrestimit të Florës, kanë qenë disa trajnime të thjeshta”, tha ajo.

Ajo konfirmoi se i ka dhënë deklaratë mbrojtjes, por se nuk është pyetur për këtë çështje, ndërkaq konfirmoi se e ka thënë të vërtetën në atë deklaratë.

Më pas, prokurori i lexoi një pjesë të deklaratës, ku fliste për periudhën pas arrestimit të Brovinës.

“Ju thatë mbrojtjes si në vijim: pyetja e mbrojtjes – a e keni parë ndonjëherë Florina Borinvën në Zllash, ju jeni përgjigjur,jo por pas bombardimeve ajo u arrestua në apartamentin e saj”, lexoi prokurori dhe e pyeti se kur kanë filluar bombardimet.

Dëshmitarja tha se nga 24 marsi kur kanë mbyllur ordinancën dhe kanë filluar bombardimet nuk e ka takuar Brovinën dhe se më vonë ka kuptuar se është arrestuar pas ofensivës në prill, por që këtë lajm e kishte marrë më vonë për shkak të mungesës së mjeteve informuese.

Prokurori e pyeti se a e konfirmon se Brovina është arrestuar në mars e jo më vonë.

“Hera e fundit që e kam taku ka qenë 24 marsi, për arrestim e kam kuptu më vonë. 24 marsi ka qenë dita e parë e bombardimeve, bombardimet kanë vazhdu më gjatë. Atë ditë e kemi mbyll ambulatën e më nuk e kam taku”, tha ajo.

Ajo tha se është stërvitur për mbrojtjen personale të saj dhe të plagosurve, por se nuk ka marrë pjesë në front lufte dhe ka pasur veç përgjegjësi shëndetësore.

Sipas saj, në mars dhe gjatë prillit, gjatë ofensivës nuk ka mbajtur uniformë, e pas ofensivës tha se i kanë dhuruar një uniformë që e ka pasur gjatë tërheqjes së plagosurve me 21 prill.

“ U kon e madhe, nuk kam pas veshje personale, e kam huazu”, tha ajo tutje.

Prokurori Cezary Michalczuk, i tha se në artikullin e përmendur më parë, është fotografia e saj me uniformë të UÇK-së, çka e konfirmoi dëshmitarja.

Ajo tha se i është ofruar kjo uniformë pas përfundimit të rrugës dhe e ka veshur në paradën e UÇK-së pas përfundimit të luftës e se ishte hera e parë që e ka veshur këtë uniformë, e cila ka qenë e papërdorur.

Sa i përket rrobave civile, ajo tha se ka pasur farmerka të zeza e bluzë të zezë dh një mantel me mëngë të shkurtra të bardhë për tu identifikuar si person që ofron ndihmë shëndetësore..

Sipas sa, ditët e ofensivës nuk ka pas armë, kurse kur i kanë tërhequr të plagosurit i kanë dhënë armë për mbrojtje të saj dhe plagosurve, por se nuk e ka shkrepur armën asnjëherë.

Ndërkaq, prokurori Cezary Michalczuk, i tha se në artikull, ku është një fotografi tjetër bardh e zi, ku dëshmitarja konfirmoi se është në atë fotografi.

Ajo tha se fotografia është bërë para përfundimit të luftës në Sharban e tha se ajo nuk ka shkrepur armë.

“Në këtë fotografi janë dy gra, nuk janë katër burra, i dyti në fillim është Rrusta, pas tij është Linda, i tretit nuk më kujtohet, jam unë, është Eminja gruaja e Ismailit”, tha tutje ajo.

Më pas, iu tregua që me radhë t’i tregonte personat në foto ashtu si ishin të pozicionuar, çka ajo e bëri.

Prokurori tha se në përshkrim të fotografisë, thuhet se Ibadetja ka pasur njohuri rreth përdorimit të armëve dhe se për pushkë automatike dhe granatë është trajnuar nga bashkëluftëtarët e saj.

Kurse, dëshmitarja konfirmoi se i kanë treguar se si përdoren.

Sipas saj, në atë kohë nuk e ka ditur se kush ishte komandant i BIA-së, por më pas ka kuptuar se Mustafa ishte komandant i BIA-së.

“Gjatë transportit të plagosurve, me 21 prill, Mustafa ka qenë i veshur uniformë ushtarake dhe gjatë gjithë kohës është thënë se në udhëheqjen e komandant Calit do të transportohen të plagosurit për në fshatin Majac”, tha ajo.

Sipas saj, ushtarët kur i ka pyetur si do të transferohen i kanë thënë se nën udhëheqjen e Salih Mustafës do të bëhet kjo, i cili sipas saj, ka qenë përgjegjës për sigurimin e rrugës.

Për një fotografi tjetër që iu tregua, tha se është nga marshi që kanë bërë nëpër rrugë të Prishtinës pas çlirimit, e cila tha se këtë fotografi e ka siguruar më vonë nga fotografët dhe është bërë në stadiumin e Prishtinës.

Ajo konfirmoi se në këtë fotografi është edhe Salih Mustafa e se gjendet në mes të fotografisë me kapelë të kuqe, kurse tha se ajo është në anën e majtë të tij, ndërkaq tha se dora që shihet mbi supin e Mustafës, nuk është e saj.

Personat e tjerë në fotografi, tha se disa nga ta i njeh e disa jo.

“Është Shyhrete Gosalci, Salih Mustafa, jam unë, ky në qosh është Bashkimi, tjerët nuk i njoh”, tha ajo, ndërkaq tha se nuk janë të gjithë ushtarë të njësitit BIA, por ka edhe të njësiteve tjera , e edhe civil, ku në foto shihet edhe një fëmijë.

Ajo tha se me Mustafën njihet ndoshta nga fillimi i vitit 1999, ku në ordinancë të Brovinës është takuar me të për herë të parë, ku ka qenë aty edhe hera të tjera ai e Isa Kastrati aty, ku bisedonin të njëjtit me Brovinën e ka pasur raste që ka qenë edhe ajo prezente.

Dëshmitarja tha se Mustafa ka qenë ish i burgosur politik që ka kontribuar shumë për vendin e vet, popullatën civile dhe ka dhënë nga vetja për vendin e vet.

Sipas saj, pas luftës shumë pak ka ruajtur kontakte me të e ushtarë të tjerë dhe ka vazhduar me jetën e saj personale, ku ka ndërtuar karrierë e familje.

Ajo tha se asnjëherë nuk ka marrë urdhër nga Mustafa. Kurse, tha se roli i tij në evakuimin i të plagosurve ishte sigurimi i një rruge sa më të sigurt për transportin e të plagosurve për në fshatin Majac.

Sipas saj, e ka bërë mbikëqyrjen, e ka shikuar rrugën, ka shkuar para tyre dhe sa herë e kanë vazhduar rrugën, ai ka qenë duke i pritur aty.

“Dmth ka shku më herët, për me kqyr terrenin”, ka thënë ajo.

Sipas dëshmitares,gjatë transportit ka qëndruar në veturë me një të plagosur që ishte ushtar i plagosur në boshtin kurrizor dhe nuk ka pasur mundësi të dëgjonte bisedat që zhvilloheshin.

Prokurori tha se i intereson nëse ajo ka dëgjuar Mustafën duke dhënë urdhra,

“Kur kena dal me i transportu të plagosurit, një ushtar ka qenë me alergji, kam dashur t’i jap antibiotik, ai më ka thënë mos e jep atë bari që është alergji, Salih Mustafa ka pyet a ka dicka të paqartë e problem, dhe i tregova që pom thot që osht alergji, mos ma jep se muj me pësu shok. Është munduar çdo here me na qenë afër. Me një udhëheq ku jemi ndal ka bërë me dorë që kemi me vazhdu lart, por nuk më ka thënë mu po atyne shoferave, jo definitiv diçka me mu”, tha Canolli- Kaçiu.

Dëshmitarja tha se Brahim Mehmetaj, nuk e ka njohur nëse pyetet për para lufte e gjatë lufte, por se pas luftës ka kuptuar se ka qenë si udhëheqës, Ndërkaq, tha se me të nuk ka kontakte personale, kurse tha se i duket se ka nofkën “Bimi”.

Ajo tha se as gjatë paradës së UÇK-së nuk e ka njohur. Kurse, tha se Bahri Gashin e njeh, e kanë mik të familjes, kurse tha se gjatë të transportimit të plagosurve ka qenë edhe ai me Salih Mustafën.

Sipas saj, as nga gjinia mashkullore e as femërore, nuk ka qenë ndonjë anëtar i familjes së saj anëtar i BIA-së përveç saj.

Tutje, më pas, ajo deklaroi se pasi është larguar nga Zllashi me 21 prill 1999, tha se kur ka filluar ofensiva e Sharbanit janë shkuar në Zllash por me një shtëpi tjetër e më pas deri në fund të luftës prapë kanë shkuar në Sharban.

Pronari i shtëpisë tha se e ka pasur emrin Sahit, por se nuk e di në cilën pjesë të Zllashit ka qenë shtëpia.

Prokurori e ka pyetur se nga mund ta di dëshmitarja se ka pasur apo nuk ka pasur persona të ndaluar në objektet që ajo tha paraprakisht se nuk i kujtohen gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja. Si dhe gjykatësja e pyeti a ka kontrolluar gjitha ndërtesat vet.

Kurse, dëshmitarja tha se ka pasur shumë punë dhe nuk i ka shku mendja të shkoj në ato objekte apo të tjera. Ndërkaq, paraprakisht sërish tha se nuk ka parë apo dëgjuar për persona të ndaluar në Zllash.

“Pra, nuk i vizituat të gjitha ndërtesat, qëndruat pjesën më të madhe të kohës brenda asaj kohe, kujdeseshit për të plagosur, ishte situata dramatike e shqetësuar dhe ishin shumë njerëz që kishin nevojë për ndihmë dhe po thoni s’besoni se askush nuk është mbajtur aty”, pyeti prokurori

Dëshmitarja tha se ka ardhur të jap dëshminë e saj për aq sa di dhe jo për diçka që nuk e ka parë.

Prokurori e pyeti nëse po thotë se nuk është e sigurt lidhur me atë a janë mbajtur apo jo njerëz në Zllash.

“Nuk mund të sigurohem për diçka që nuk kam pa a dëgju. Fjala jem përfundimtare është nuk e di, nuk kam pa diçka që ka mujt me hi në dyshime”, tha Canolli-Kaçiu.

Ajo u pyet nëse ka bërë ndonjë koment në postim e brahim Mehmetaj, ku ishte me Mustafën, ku ky i fundit po nisej për intervistim në Hagë. Ku dëshmitarja për këtë tha se nuk i kujtohet, ndoshta ka mundur ta pëlqej apo komentoj të njëjtën.

“Ibadete Canolli- Kaçiu ka një grusht të ngritur””, tha prokurori lidhur me komentin e saj.

“Zakonisht e përdori dicka për fortësi që me qëndru i fortë zoti Mustafa, jo diçka tjetër”, u përgjigj ajo.

Tutje, tha se idealin e përbashkët e kanë pasur luftën për liri dhe ka dashur të thotë që i njëjti të qëndroj i fortë e përballet me çdo sfidë dhe se në fund drejtësia do ta bëj të veten. Ndërkaq, tha se ishte mbështetje morale.

Në një postim tjetër në “Facebook”, që u tregua, prokurori tha se është postim i Brahim Mehmetaj, për të cilën dëshmitarja tha se ndoshta e ka pëlqyer apo komentuar.

Sipas prokurorit, komenti i dëshmitares në këtë postim ishte “ gjithmonë në shërbim të atdheut, drejtësi për çlirimtarët””

E dëshmitarja tha se si popull e kanë shprehi që jetën ia kanë borxh atdheut në çdo rrethanë dhe Mustafa aty ishte me uniformë ushtarake, ndërsa drejtësi për çlirimtarët tha se nënkuptoj përfundim të këtij procesi në mënyrë sa më të drejtë.

Ajo tha se ka mbajtur një fletore gjatë luftës ku ka shkruar për emocionet e saj gjatë luftës, por jo për luftën apo data lidhur me luftën.

Më pas, asaj iu prezantua një intervistë që kishte dhënë në një televizion, ku u treguan për të pranishmit në sallë disa pamje. Ajo tha se në këtë bllok ka shënuar rrëfimet dhe përjetimet e saj emocionale dhe nuk ka shkruar çdo ditë.

E pyetur se a ka ndonjë kundërshtim të ia jap këtë bllok prokurorisë a gjykatës, ajo tha se emocionet e saj nuk ka dëshirë t’ia tregoj askujt dhe se nuk kishte të bëj asgjë me luftë.

Prokurori i tha se megjithatë ajo nuk e ka pasur problem që ta prezantojë e shfletojë në intervistën online këtë bllok, ku mund ta sheh gjithë bota, ku shihen pjesë nga fletorja. E dëshmitarja tha se nuk do të dëshironte që historitë e saj për emocionet të lexoheshin.