Fjalë Kyçe

Dështimet e Pacollit po i dëmtojnë interesat nacionale

Që nga ardhja në krye të Ministrisë së Jashtme të Behgjet Pacollit, politika jonë e jashtme është dëmtuar keq. Është për keqardhje mënyra se si përfaqësohet vendi ynë, si përcillen qëndrimet zyrtare shtetërore dhe si komunikohet me aktorë shtetëror të vendeve të tjera.

Po përmend vetëm telegrafikisht shkarjet e dëmshme, që ministri Pacolli i ka bërë, që nga ardhja në krye të Ministrisë së Jashtme.

1. Më 4. Dhjetor 2017 do të deklaronte në Televizionin Serb TV Presek se “Serbia nuk ka nevojë ta njoh Kosovën.“ Ky qëndrim është në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës dhe kundër interesave të Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, në një vend me traditë demokratike, Pacolli do të detyrohej të jap dorëheqje.

2. Duke u munduar të imponohet, në kundërshtim të çdo rregulli protokollar edhe për një asistent, e lëre më për një Ministër të Jashtëm, më 25. Shtator 2018 shkakton skandal diplomatik në New York me Kryeminstrin e Marokut z. Saadin el Otmani, duke arritur efekt të kundërt – dëmtim serioz të mundësisë për inicimin e raporteve biletarele me këtë vend. Kryeministri maroken do të demantonte se është biseduar për marrëdhënie dypalëshe. Në pesë minuta nuk mund të bëhet një gjë e tillë. Pacollit i duhej vetëm fotografia, për të mashtruar opinionin tonë publik. Edhe për këtë arsye Pacolli, në një vend solid demokratik, do të duhej të merrej në përgjegjësi nga shefi i tij dhe të detyrohej të japë dorëheqje ose të shkarkohej.

3. Në një përshëndetje të padinjitetshme (nuk ishte takim) me Kryeministren e Serbisë Bërnabiç, më 25.09.2018, Pacolli shpërfaqë naivitetin e tij, duke i dhënë mundësinë kryeministres serbe ta fyejë si fëmijë me pyetjen “Kush ju ka dhënë leje të vini këtu?” Vetëm për poshtërimin e Republikës sonë në këtë nivel, në një vend të përgjegjshëm demokratik, ai do të duhej të jepte dorëheqje.

4. Një ditë më vonë, më 26.09.2018, Pacolli në televisionin TV Prvu do të deklaronte se “nuk duhet të ketë kufi në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë nevojë për paqe ndërmjet popujve tanë. Ata dikur kanë jetuar bashkë dhe shoh tendencë se ata duan të jetojnë sërish së bashku. Në vend që të vendosim kufij ne duhet t’i heqim ata.” Ky nuk është qëndrimi i Republikës së Kosovës. Ky nuk është interesi i qytetarëve të Republikës. Në një vend me demokraci të konsoliduar, Pacolli do të detyrohej të japë dorëheqje nga detyra e ministrit.

5. Më 26. Shtator 2018 në një takim në New York me ministrin e jashtëm të Vanuatus Ralph Regenvanu do të deklaronte se “do të vendosen marrëdhëniet diplomatike në mes të dy vendeve.” Kompetenca profesionale e ministrit Pacolli nuk do të shkonte deri aty sa të dinte se Marrëveshja për Lidhjen e Marrëdhënieve Diplomatike ishte nënshkruar nga ish Presidenti Sejdiu në vitin 2010, kurse unë kam qenë i akredituar (nga gushti i vitit 2017) si ambasador jorezident ne Vanuatu (nga Australia). Edhe në këtë rast i duhej një fotografi për publikun tonë, duke u paraqitur se po bënë punë të rëndësishme.

6. Më 26.09. 2018 ai do të shfaqej në një skenë foshnjore, duke e vënë në siklet Presidentin e SHBA Donald Trump, i cili do t’i zgjaste dorën në ecje e sipër, si një fëmije, pa asnjë dakordim paraprak dhe në mënyrë krejtësisht të padinjitetshme për Pacollin. Më pas do të mundohej ta interpretonte këtë si “takim me Presidentin Trump”, duke mashtruar opinionin publik në mënyrë tregtare: të shitjes së të pavërtetës në publik.

7. Në takimin me Komisionin për Politikë të Jashtme të Republikës së Kosovës, dej më 19. Dhjetor 2018, ai do të deklaronte se “vajza të bukura serbe ja lenë zezakut letrën në tavolinë” dhe për këtë arsye shumë vende afrikane kanë votuar kundër pranimit të Kosovës në Interpol. Kjo deklaratë u shoqërua me një skenë të sikletshme me zëvendësen e tij, gjë që bëri të iritoj anëtarët e komisionit. Në të vërtetë këtu shfaqet padituria e tij themelore për diplomacinë: shtetet nuk i ndërrojnë qëndrimet aty për aty, për shkak të përkdheljes së një vajze serbe. Nëse një zyrtar afrikan do të dëgjonte diçka të tillë të thënë nga një ministër i jashtëm, do të fyhej keq. Edhe për këtë arsye, në një vend ku zhvillohet demokracia do të detyrohej të jepte dorëheqje.

8. Në fjalinë e mësipërme ai ju drejtohet afrikanëve me një shprehje raciste, duke i quajtur “zezakë”. Kjo flet për nivelin kulturor të Ministrit të Jashtëm. Ky nivel është në kundërshtim me kulturën tonë kombëtare për të respektuar përfaqësuesit e racës tjetër. Një deklarim i tillë racist nuk i lejohet një ministri të jashtëm. Edhe për këtë arsye, në një vend me traditë demokratike, ministri i jashtëm do të detyrohej të japë dorëheqje.

9. Në deklaratën e tij para Komisionit për Politikë të Jashtme ministri Pacolli deklaroi se nuk ka ardhur në seancën parlamentare për politikë të jashtme, për shkak se ishte “nervoz dhe ka pasur frikë se do të fyhet nga deputetët.” Të njëjtën ditë ai i kishte deklaruar Kohës Ditore se “Nuk do të jem aty. Kam punë të tjera, kam agjendë. S’kam mundur ta shtyjë agjendën e INTERPOL-it kurrsesi për shkak të një debati në parlament.” Në fakt, kjo e tregon më shumë se çdo gjë, sa mund t‘i besohet atij. Një njeri i tillë, që nuk e thotë të vërtetën dhe më pas e pranon se nuk e ka thënë të vërtetën, nuk mund të jetë një ministër i besueshëm. Kjo flet për nivelin e tij të përgjegjshmërisë për detyrën që mban. Edhe për këtë arsye ai do të duhej të shkarkohej.

10. Në deklaratën e tij para Komisionit për Politikë të Jashtme, ministri Pacolli i kritikoi mediat se po e kritikojnë që po mban takime nëpër koridore. Edhe kjo gjë dëshmon se ai nuk është koshient për detyrën e tij. Korridoret në konferenca dhe samite diplomatike shfrytëzohen nga asistentet dhe asistentët për ndërmjetësim takimesh, por jo nga ministrat e jashtëm për t‘ua zënë pritën dhe irituar përfaqësuesit e vendeve tjera. Edhe kjo është një dëshmi se ai nuk e njeh rregullën primare të sjelljes protokollare të një ministri të jashtëm.

11. Ministri Pacolli ka dështuar plotësisht në procesin e lobimit per njohje. Ai boton fotografi me zyrtarë shtetesh, që nuk na kanë njohur. Por, pas këtyre takimeve nuk ka rezultate. Këtu ka një problem serioz: gjuha e tij, sjellja e tij dhe mënyra si flet, si argumenton dhe si i kontakton nuk i bind bashkëbiseduesit se fjala është për një ministër serioz i punëve të jashtme. Prandaj, që nga ardhja e tij në krye të MPJ, jo që nuk kemi njohje, por politika jonë e jashtme ka kaluar në defansivë, duke u marrë me ruajtjen e njohjeve. Ai ka ftuar që të mos flitet për tërheqje të njohjeve. Pra, të mos flitet për dështimin e politikës së tij të jashtme. Kosova duhet të flas. Ta analizojë dhe ta shkarkoj një ministër të tillë të pasuksesshëm dhe të dëmshëm për interesin nacional.
Në këtë shkrim qëllimisht nuk jam marrë as me të kaluarën e z. Pacolli dhe as me një numër veprimesh të tjera të tij të dëmshme për politikën tonë të jashtme, për të cilat jam në dijeni, por gjykoj se nuk mund t‘i bëhen të njohura publikut.
Më vjen shumë keq për Kosovën time Republikë. Më vjen shumë keq për shoqërinë tonë. Kosova nuk është kaq e dobët sa të përfaqësohet nga një njeri i tillë si ministri aktual. Janë me qindra kuadro në të gjitha partitë politike, dhe edhe më shumë sish në Universitet dhe në Shoqërinë Civile, të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, të cilët kanë dije politike, nivel dhe kompetencë intelektuale për të përfaqësuar me dinjitet Republikën e Kosovës.

Kosova duhet të hapë rrugë për kuadro të reja! Kosova nuk duhet të shoh heshturazi rënien në këtë nivel të politikës së saj të jashtme!

Autori është profesor në UP dhe ish-Ambasador i Kosovës në Austri e Australi.