Fjalë Kyçe

Dështimi i projektit Kosova e Re mund ta lë pa rrymë Kosovën

Dështimi i projektit Kosova e Re mund ta lë pa rrymë Kosovën

Rreth 270 mijë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për dy vjet për Ndërmarrjen e Re të Energjisë NKEC. Vetëm për paga të 10 zyrtarëve të kësaj ndërmarrje vitin e kaluar u shpenzuan afro 90 mijë euro.

E themeluar nga Qeveria në 2018-n, pa qenë e qartë e ardhmja e projektit “Kosova e Re”, ajo nuk ka arritur që të sigurojë financim afatgjatë, duke funksionuar vetëm me subvencionim nga ana e Qeverisë.

Por, veprimtaria e saj është vënë në pikëpyetje pas lajmërimit të investitorit “Contour Global” për tërheqje nga marrëveshja për ndërtimin e këtij projekti.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), ekzistojnë pasiguri materiale se projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” nuk do të mund të realizohet.

“Edhe pse marrëveshjet komerciale lejojnë që me pajtimin e palëve të mundësohet zhvendosja e afateve të parapara në rast të veprimit të ndonjë force madhore apo pamundësisë objektive të plotësimit të ndonjë kushti të domosdoshëm, ekzistojnë pasiguri materiale se projekti i ndërtimit të TCKR në termat e përcaktuar nuk do të mund të realizohet”.

Në planin e saj, NKEC ka paraparë që mënyra më e qëndrueshme e financimit të saj të bëhet përmes përfshirjes së tarifave të energjisë elektrike. Por, kjo çështje nuk është zgjidhur ende.

“Bazuar në planin e biznesit të vitit 2020 ndërmarrja ka parashikuar që mënyra më e qëndrueshme e financimit të ndërmarrjes të bëhet përmes përfshirjes në tarifat e energjisë elektrike. Po ashtu, ndërmarrja ende është duke funksionuar me bord të përkohshëm. Megjithatë, në këtë situatë i mbetet Qeverisë së Kosovës të vlerësojë në lidhje me vazhdimin ose jo të projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, si dhe me mënyrën e financimit të ndërmarrjes”.

Nga ndërmarrja kanë thënë për KOHËN se derisa ende nuk krijon të hyra vetjake është dashur që të subvencionohet nga Qeveria e Kosovës. Ajo nuk është përgjigjur për të ardhmen e kontratës me “Contour Global”.

“Subvencionimi i NKEC ka ndodhur në dy faza, faza e parë deri në fund të vitit 2019 janë ndarë 115 mijë euro, kurse për vitin 2020 e tutje janë ndarë 150 mijë euro subvencion”

Auditori ka rekomanduar që Bordi i kësaj ndërmarrjeje duhet të sigurojë një rishikim gjithëpërfshirës të parimit të vijimësisë së ndërmarrjes, duke u bashkërenduar me Qeverinë dhe investitorin për të definuar çështjen se a do të vazhdojë projekti i ndërtimit të “Kosovës së Re”.

Në raste të heqjes dorë nga ky projekt, sipas tij, Bordi dhe Qeveria duhet të kenë vizion të qartë se si do të jetë e ardhmja e ndërmarrjes.

Në bazë të Strategjisë se Energjisë së Kosovës, si dhe të Programit Qeveritar, parashihet që Kosova të ndërtojë kapacitete të reja gjeneruese me bazë thëngjillin, për t’i zëvendësuar kapacitetet e vjetruara.