Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar për shtyrjen e ditës për shitjen e biletave për ndeshjen ndaj Burkina Fasos.
FFK kishte njoftuar më herët se biletat do të dalin në shitje ditën e sotme, por kjo nuk ndodhi.
Shtëpia e futbollit kosovar ka bërë të ditur se për shkaqe teknike biletat nuk janë vendosur sot në shitje.
Sipas FFK-së, biletat për miqësoren Kosovë – Burkina Faso do të dalin nesër, të martën, përcjell express.
Shitja e biletave do të bëhet në mënyrë fizike.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se për shkaqe teknike shitja e biletave për ndeshjen miqësore Kosova – Burkina Faso, e cila do të zhvillohet më 24 mars në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, është shtyrë për ditën e martë. Shitja e biletave do të bëhet në mënyrë fizike në dy pika të shitjes së kompanisë “Artmotion” në Prishtinë. Për detajet tjera opinioni do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.